Reperi i famshëm sulmoi Ilir Tolajn, ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë (FOTO)

By

Ilir Tolaj, ish-sekretar i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, është sulmuar fizikisht, pas një zënke në trafik.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 13:50 në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Ambulanca ka ardhur dhe e ka marrë Tolajn, i cili është përgjakur, pasi është sulmuar me një send të fortë, ka raportuar agjencia e lajmeve Ekonomia Online.

Dëshmitarë kanë thënë për “EO” se sulmues është reperi i njohur “Don Arbas”.

Tolaj i vetëm në veturë dhe Don Arbas i shoqëruar me dy persona të tjerë kishin “ngecur” në rrugën e njohur për frekuentimin e madh, pasi në këtë vend ndodhen shumë kafeteri.

“Për një moment, Don Arbas me shokët e tij kanë dalë nga vetura e tyre dhe kanë shkuar te vetura e Tolajt. Njëri nga ta e ka goditur disa herë në kokë me ‘shtagën’ të cilën e mbante pasi duket se kishte një lëndim në këmbë”, tregoi dëshmitari, i cili nuk deshi t’i publikohej emri.

Por, ky dëshmitar ishte i gatshëm të jepte dëshminë e tij për policinë, e cila doli shumë shpejt në vend të ngjarjes.

Sikur shihet dhe në fotografitë e Ekonomia Online, vetura e Tollajt ka mbetur për pak kohë në vend të ngjarjes. Ndërsa vetura tjetër nuk është ndalur.

Prive ka provuar të kontaktojë me Tolajn, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve të gazetarit tonë, e po ashtu as reperi Don Arbas.

Por është këngëtarja Arta Bajrami, ajo që e ka mohuar se vëllai i saj ka gisht në këtë punë, duke thënë se ata kanë rast vdekjeje në shtëpi dhe ai nuk ka kohë për të tilla gjëra, përndryshe do i kishte treguar asaj për ndodhinë.

E lajmin e ka konfirmuar edhe policia për Rajonin e Prishtinës, që kanë bërë me dije se për këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar për këtë rast, përcjellë Klan Kosova.

“Personi  ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në QKUK për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në komunikatë.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”.

“Gjithashtu ka shoqëruar në stacion policor dy persona të dyshuar, ndaj të cilëve në koordinim me prokurorin e shtetit po kryhen veprimet e fazës fillestare hetimore”, thuhet aty më tej.

Pos policisë, këtë rast për klankosova.tv e ka konfirmuar bashkëshortja e tij, Jasmina Tolaj.

“E kanë sulmuar fillimisht makinën e tij dhe më pas e kanë goditur atë me shufra hekuri”, ka thënë ajo, njofton Klan Kosova.

“Ka marrë lëndime në kokë dhe për këtë është duke u trajtuar”, ka shtuar ajo. /Prive.al

Artikuj të ngjashëm