Reagon i dyshuari që i dha makinën e re Morena Tarakut

By

Çështja e veturës se të Morena Tarakut vazhdon ende…

KALLXO.com kishte dokumentin e Doganës së Kosovës që konstaton se Morena Taraku ka deklaruar një veturë të re të tipit Bentley në vlerë prej 235 mijë euro. Veturat e reja, bazuar në kodin doganor, nuk i nënshtrohen pagesës së taksës doganore.

Por, Dogana ka konstatuar se vetura në fjalë kishte 2,194 kilometra të kaluara dhe kishte regjistrim të rregullt në Gjermani të bërë me datën 22.07.2019, prandaj për zhdoganimin e saj duhet të paguhet edhe tarifa doganore.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se kjo prokurori nuk e ka mbyllur rastin e këngëtares Morena Taraku, që ka pasur të bëjë me zhdoganimin e veturës së tipit “Bentley”.

Në njoftim shkruan se nga prokurori i rastit është kërkuar që të lëshohet një vendim, i cili do ta identifikoj veturën si të re apo të përdorur në procedurën e zhdoganimit.

Gazeta Sinjali ka mësuar nga burimet se personi që dyshohet se ia dha veturën luksoze Morena Tarakut është G.L.

Gazeta në fjalë kishte kontaktuar personin që del të jetë i njohur për redaksinë, mirëpo ai kishte kërkuar nga gazeta që ta tregojë burimin e informacionit për zbulimin e emrit të tij, si kusht për ta rrëfyer historinë, rreth veturës “Bentley”, gjë e cila është në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve.

“…Kush e tha emrin tim…Po më tregon kush tha, ta tregoj historinë”, përgjigjet G.L.

Kjo veturë dyshohet se i ishte dhënë modeles me kushtin që ta reklamonte kompaninë e tij për dhjetë vjet në Instagramin e saj.

Raportimet për dhënien e veturës me ‘marrëveshje’ për ta reklamuar në profilin e saj në Instagram, Gazeta Sinjali i mbështet në burimet brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës të cilat bëjnë me dije se në Prokurori është prezantuar një kontratë për shërbim marketingu në Instagram për kohëzgjatjen 10 vjeçare që obligohet ta bëjë Morena Taraku si kompensim për posedimin e veturës.

Vetura e tipit “Bentley” cila ka vlerë rreth 250 mijë euro që ka hyrë në Kosovë përmes këngëtares, Morena Taraku, u konfiskua sot nga policia. Policia ka konfirmuar se kjo veturë ishte në kërkim ndërkombëtar dhe se e njëjta është në procedurë të verifikimit nga ana e Policisë së Kosovës.

Burimi: Sinjali.com

Artikuj të ngjashëm