Koncertet e planifikuara në Poloni nga bashkëthemeluesi i Pink Floyd, Roger Waters, janë anuluar, për shkak të qëndrimit të muzikantit ndaj luftës në Ukrainë.
Promotori i koncertit, Live Nation Poland, konfirmoi anulimin, por nuk dha asnjë arsye për këtë.
Debati u shkaktua nga një letër e hapur që Waters i shkroi zonjës së parë të Ukrainës, Olena Zelenska.
Në të, tha ai, “nacionalistët ekstremë” në Ukrainë “e kanë vënë vendin tuaj në rrugën e kësaj lufte katastrofike”.
Ai akuzoi bashkëshortin e saj, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për dështimin e përmbushjes së premtimeve të fushatës zgjedhore për të sjellë paqe në rajonin e Donbasit dhe nuk përmendi përgjegjësinë e Rusisë për luftën.
Në përgjigje, zonja Zelenska shkroi në Twitter se ishte Rusia ajo që pushtoi Ukrainën dhe tani po shkatërronte qytetet e saj dhe po vriste civilë. “Roger Waters, duhet të kërkosh paqe nga presidenti i një vendi tjetër”, ka shkruar ajo.
Këshilltarët bashkiakë kanë hartuar një rezolutë për ta shpallur zotin Waters persona non grata, që do të votohet në një seancë më 28 shtator.
“Duke marrë parasysh sulmin kriminal të Rusisë ndaj Ukrainës si dhe numrin në rritje të krimeve të luftës të kryera nga ushtarët rusë që po dalin në dritë, [këshilltarët] shprehin zemërim për tezat dhe deklaratat e bëra nga z. Roger Waters në lidhje me pushtimin rus të Ukrainë”, thuhet në rezolutë.
Z. Waters, aktualisht në turne në SHBA, u kthye në një postim tjetër në Facebook me titull “Hey Łukasz Wantuch, Leave them kids only”, duke iu referuar tekstit të këngës klasike të Pink Floyd, Another Brick in the Wall.
Ai mohoi një raport të mëparshëm të medias se ai ose menaxhmenti i tij i kishte anuluar vetë koncertet dhe akuzoi zotin Wantuch për “censurimin drakonian” të punës së tij.
I pyetur nëse anulimi ishte i lidhur me komentet e zotit Waters, një zëdhënës i lokalit për Tauron Arena në Krakov tha për BBC: “Asnjë koment”.