Dyshja ukrainase TVORCHI, të cilët po përfaqësojnë vendin e tyre në Eurovision, janë bashkuar me Visa dhe platformën për mbledhjen e fondeve UNITED24 (e nisur nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky), për të mbledhur fonde për pajisje për të ndihmuar foshnjat ukrainase të lindura para kohe për shkak të stresit të luftës.
Gjatë ceremonisë së hapjes së festivalit që u zhvillua në qytetin anglez Liverpool, dyshja kishte veshur kostume me emrat dhe peshat e foshnjave ukrainase të lindura para kohe, të shfaqura në xhaketat e tyre.
“Sofje, 1340 gramë. Marichka, 804,6 gramë. Nikita, 1280 gramë. Alice, 1600 gramë. Denis, 900 gramë…Këta emra dhe pesha janë shfaqur në kostumet tona, që i kemi veshur në pistën e Eurovizionit”, shkroi dyshja TVORCHI në një postim në Instagram.
“Ata i përkasin fëmijëve që kanë lindur në Ukrainë gjatë luftës, shumë të vegjël. Më shpesh, sepse nënat e tyre përjetuan stres gjatë shtatzënisë për shkak të shpërthimeve, granatimeve dhe ndjenjës së vazhdueshme të kërcënimit”
“Këto foshnja mbijetuan – zemrat e tyre të vogla u shpëtuan nga inkubatorët e kujdesit intensiv”, shtoi dyshja.
Sipas UNITED24, “për shkak të luftës, numri i të porsalindurve të tillë është rritur me të paktën 15% dhe pas kësaj shifre ka mijëra fëmijë vulnerabël që kanë lindur para kohe dhe nuk mund të mbijetojnë pa ndihmë të veçantë”.
Qëllimi i nismës është të tërheqë mbështetje ndërkombëtare për të mbledhur 10 milionë hryvnia (rreth 250,000 euro) për blerjen e 10 inkubatorëve për foshnjat ukrainase.
Eurovizioni tradicionalisht organizohet në vendin që fitoi konkursin vitin e kaluar. Ukraina u shpall fituese në vitin 2022, por nuk mund ta organizonte për shkak të konfliktit të vazhdueshëm, kështu që Mbretëria e Bashkuar është nikoqire në emër të saj.
Tema e Eurovision 2023 është “Të bashkuar nga muzika” dhe finalja zhvillohet të shtunën më 13 maj.