Kompozitori kosovar nga qyteti i Prizrenit, Gjergj Kaçinari mësohet se ka ndërruar jetë. Këtë e ka bërë të ditur vajza e tij Klorinda Kaçinari përmes një postimi në Facebook.
“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se me datën 26 dhjetor 2019, kaloi në amshim bashkëshorti, tata dhe gjyshi jonë i dashur Gjergj Kaçinari. Të pikëlluar: bashkëshortja Greta, vajza Klorinda dhe nipi Justini”, ka shkruar ajo në postimin e saj.
Tutje ajo ka bërë të ditur se varrimi i Gjergj Kaçinarit do të bëhet të shtunën, më 28 dhjetor 2019.
“Mesha e Dritës do të kremtohet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë në orën 13:00. Pas meshe, kortezhi do të niset për në varrezat katolike në Prishtinë. Varrimi në orën 14:00”, ka shkruar Klorinda Kaçinari.
Gjergj Kacinari u lind më 25.04.1939 dhe ishte kompozitor i muzikës argëtuese, serioze dhe asaj të filmit e teatrit shqiptar nga Kosova.
Gjergji i takon gjeneratës së mëvonshme të pas Luftës së Dytë Botërore të kompozitorëve në Kosovë.
Ka bërë përmbledhje të ndryshme të folklorit dhe i ka pasqyruar ato në drejtime tjera të muzikës. Përpos kësaj këto përmbledhje i ka artikuluar edhe në libra të ndryshëm. Një ndër to është dhe libri i titulluar “Margaritarët e këngëve popullore”.