Edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana ka marrë masat që e gjithë familja të qëndrojnë të mbrojtur nga virusi që ka goditur Italinë.
Në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live”, ai tregon se familja e tij janë vetë-izoluar dhe po evitojnë daljet sa më shumë dhe se kishte anuluar fluturimin e tij për në Shqipëri.
“Jam me familjen time në shtëpi në Romë. Po mundohemi si të gjithë qytetarët të marrim situatën në dorë sepse përgjegjësia është mbi çdo individ. Duhet te rrime maksimalisht në shtëpi dhe të evitojmë sa më shumë kontaktet me njerëzit. Jemi të vetëizoluar, edhe pse Roma nuk është në të njëjtën situate si pjesa e veriut. Një gjë është e sigurt, qe virusi do përhapet edhe në pjesë të tjera të Italisë sepse janë identifikuar dhe po merren masa që të jenë të përgatitur. Shembullin e Italisë duhet ta ndjek edhe Shqipëria. Lombardia është vendi më i përgatitur dhe i zhvilluar i Italisë dhe ata ndodhen në situatë emergjente. Kështu që duhet të marrim masa dhe secili të ketë ndërgjegjen e duhur. Të rrimë në shtëpi sepse kjo është e vetmja mënyrë për ta ndaluar. Këto dy, tre javë do mundohemi të rrimë sa më shume në shtëpi, të dalim vetëm për të bërë blerje që na duhen për të jetuar. Të evitojmë ambientet e mbyllura, transportet publike, kafenetë”, tha Loriku gjatë lidhjes direkte.