Dje Qeveria e Kosovës filloi sulmin e paprecedentë ndaj fjalës së lirë dhe me këtë edhe sulmin ndaj mediave të lira e që nuk janë nën kontroll të saj. Jo rastësisht sulmi filloi ndaj mediumit më të madh në Republikën e Kosovës, TV Klan Kosova.
Qeveria me këtë veprim është duke keqpërdorur mekanizmat e shtetit për ta mbytur fjalën e lirë, lirinë e shprehjes dhe mediat e pavarura. Këtë, kjo Qeveri, po e bën me vendime që nuk i përkasin një sistemi demokratik. Ne emër të ligjit e Kushtetutës, po ndërmarrin veprime që janë në kundërshtim me të dyja, e për më keq edhe kundër parimeve të demokracisë.
Vendimi për pëzullimin e certifikates së biznesit të shoqërisë tregtare “KLAN Kosova” nga ARBK në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i cili na është kumtuar mbrëmë nga ministrja Rozeta Hajdari, është i paprecendtë.
Vendimi i kësaj Qeverie i referohet një baze jo-relevante ligjore, i mungon pjesa arsyetuese, dhe është marr nga një department i cili nuk ka asnjë kompetencë ligjore në drejtim te nxjerrjes së vendimeve “pezulluese”. Ligji për Shoqëri Tregtare në asnjërin nga nenet e tij NUK përcakton mundësinë ose konceptin e “pezullimit” të një Certifikate të Biznesi të një kompanie në Kosovë! Për më shumë, ushtrimi i veprimtarisë në fushën e shërbimeve mediale audio-vizuale në Kosovë rregullohet sipas Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave. Pra, vendimi, i tëri edhe si përmbajtje ligjore edhe si procedurë ligjore është një huqje që shpërfaq qartazi motivin dhe tendencën për të ndalur fjalën e lirë dhe median e pavarur.
Klan Kosova ka ndërmarrë menjëherë masat dhe veprimet që të njoftoj gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes dhe të njejtit që nga mbrëmë pa ndalur kanë dal në përkrahje të fjalës së lirë, pavarësisë së mediave e kundër këtij vendimi arbitrar dhe kërcënues.
Klan Kosova është medium i Kosovës, ka mbi 200 të punësuar qytetarë të Republikës së Kosovës, 100 mijë orë transmetimi të lajmeve dhe programeve të tjera që promovojnë dhe angazhohen për shoqëri të lirë e demokratike.
Secili pushtet që tenton t’i luftojë mediat, luftën e ka të humbur pa e filluar. Fjala e lirë dhe liria e shprehjes janë përmbi qeverisjet. Ato nuk mund t’i cenojnë as politikanët e as partitë që i duan mediat platforma të tyre. Këtë s’do ta pranojmë kurrë e kjo asnjëherë s’do të ndodhë. Klan Kosova është e Kosovës e Kosova s’është e një individi e as e një pushteti. Do të vazhdojmë përpara. Edhe më fuqishëm. Pa u trembur asnjëherë.