Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” mbush plot sallën e Prifest me audiencë

By

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me skenar dhe regji nga Kushtrim Bekteshi paraqet ndryshimin e një shoqërie patriarkale.

“Nuk bëhet fjalë se në cilën trevë bën fjalë, por që është përgjithësuese për shoqërinë shqiptare, është një shoqëri patriarkale por në ndryshim, ka mesazhin pozitiv brenda saj. Ndryshimi është i domosdoshëm për një shoqëri të caktuar”, ka thënë producenti i filmit Mumin Jashari.

Sinopsisi i këtij filmi – Jetën e zakonshme dhe të qetë të një fshati “të harruar” e çrregullon ardhja e tri prostitutave në kafenenë ilegale të dy vëllezërve makro. Burrat, edhe përkundër përpjekjeve të grave të tyre për t’i ndaluar, tërë kohën e kalojnë në kafene duke harxhuar paratë e fundit në alkool dhe seks. Në shkollë mbizotëron gjendje kaotike, xhamia mbetet pa besimtarë. Vetëm dy të rinjë përfitojnë nga kjo rrethanë duke arritur të realizojnë lidhjen e dashurisë të ndaluar nga prindërit. Në fund gratë çohen në kryengritje. Si pasojë kafeneja digjet, ndërsa jeta në fshat duket se do të kthehet përsëri në normalitet.

Ndoshta tema që trajton ky film është një frymë e re për ne, ose edhe përzgjedhja e aktorëve nga të gjitha trevat shqiptare arriti që të mbushë sallën përplot me audiencë!

“Kishte reagime shumë të mira, besoj që do të flasin vetë njerëzit që e kanë parë filmin. Meqë është i zhanrit komedi, kur qeshin njerëzit atëherë kupton se qëllimi ishte arritur,” tha skenaristi dhe regjisori Kushtrim Bekteshi në intervistën me Alaudin Hamitin në Prifest, Prishtinë. /Prive.al

 

 

Artikuj të ngjashëm