Festa e Halloween-it dhe historia e saj

By

Halloween e ka prejardhjen në kremtimin e ndërrimit të viteve të kalendarit të Keltëve, natën midis 31 tetorit dhe 1 nëntorit.

Qysh 600 vjet p.e.s populli kelt mirëpriste në këtë mënyre muajt e dimrit dhe ndarjen nga temperaturat më të larta.

Një kungull i ndriçuar nga brenda, simboli i Halloween-it

Njerëzit mblidheshin në kodrat mbi tokat e tyre dhe duke ndezur zjarre të mëdhenj, përzenin shpirtrat e këqinj të vitit që shkoi. Më pas, shuanin përkohësisht zjarrin në shtëpitë e tyre dhe pak më vonë e ndiznin përsëri.

Po nga erdhi kjo ditë drithëruese dhe pse e festojmë?

Në fakt ajo nuk vjen nga fëmijët dhe veshjet e tyre mashtruese.

Ka nisur që në festivalin antik kelt të Samhain, kur njerëzit vishnin kostume dhe bërtisnin si fantazma, por ka marrë dekretin e Papës Gregori III në shekullin e tetë që festohet siç e festojmë sot.

Samhain (mbjellja) shënonte fundin e verës dhe korrjen dhe lajmëronte muajt e ftohtë. Keltët besonin se një natë para vitit të ri kufijtë mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve bëhen të paqarta. Tradicionalisht njerëzit vishnin kostume, lëkura kafshësh dhe koka, dhe i uronin fat njëri-tjetrit. Më pas në vitin 43 pas Lindjes së Krishtit, Perandoria Romake pushtoi pjesën më të madhe të territorit kelt dhe për vite me radhë të sundimit të tyre u kombinuan edhe festivalet.

I pari ishte Feralia, një ditë e vonë e tetorit kur romakët shënuan kalimin e të vdekurve. I dyti ishte Pomona, perëndesha romake e frutave dhe pemëve. Simboli për Pomonën është një mollë, dhe kjo u bë traditë e lidhur me Halloween-in.

Në vitin 609 pas Lindjes së Krishtit, Krishtërimi e ndryshoi festivalin duke shtuar lutjet për të vdekurit.

Papa shënoi datën 1 nëntor si koha për nderimin e shenjtorëve dhe martirëve, një ditë pushimi që njihet si Dita e të Gjithë Shenjtorëve dhe më pas u bë e njohur si Halloween.

Ndërsa dita tjetër, 2 nëntor, ishte Dita e të Gjithë Shpirtrave, ku kujtohen të vdekurit. Tradita bazohej në idenë e purgatorit, një shkallë mes parajsës dhe ferrit. Festa u përhap në të gjithë botën më pas.

Kostumet kelte

Përveç sakrifikimit të shpirtrave për zotat dhe mbledhjes përreth zjarreve të mëdhenj, shpeshherë keltët vishnin kostume, ndoshta lëkurë kafshësh, në mënyrë që të ngatërronin shpirtrat dhe të pushtoheshin prej tyre. Gjithashtu thuhet se keltët, duke vendosur maska, ose duke pikturuar fytyrën, donin të mishëronin paraardhësit e vdekur. Djemtë e rinj visheshin si gra, dhe e kundërta, duke thyer për një periudhë të shkurtër ndarjet bindëse sociale.

Sipas gojëdhënave, keltët, të veshur si shpirtra, shkonin nga një shtëpi në një tjetër, duke bërë performanca qesharake në këmbim të ushqimeve dhe pijeve: një praktikë e frymëzuar ndoshta nga lënia jashtë dere e një cope buke apo e ndonjë pije si ofertë për qeniet mbinatyrore.

10 simbolet kryesore të Halloweenit

Secili prej nesh ka dëgjuar ose di sado pak në lidhje me festën e shtrigave apo të të vdekurve dhe gjithçkaje tjetër të frikshme që zakonisht njihet me emrin Halloween. Halloweeni festohet çdo vit me datë 31 tetor në shumë vende të botës perëndimore. Gjatë kësaj feste njerëzit vishen me kostume të ndryshme, shpesh herë të frikshme, dhe shkojnë që të vizitojnë njëri-tjetrin nëpër shtëpi, ose mblidhen së bashku për të festuar. E keni pyetur ndonjëherë veten se kur ka filluar kjo festë? Ç’domethënie kanë simbolet dhe pse vishemi me kostume të çuditshme? Halloweeni që festohet sot ka shumë pak ngjashmëri me festivalet romake, mbi të cilat dikur është mbështetur gjerësisht. Emri “Halloween” vjen nga vitet 1500 dhe është një variacion i “All- Hallows-Even”, nata para të gjithë ditëve të shenjta. Kisha katolike ka pushime që përkojnë me festimin pagan. Lista rendit 10 simbolet kryesore të Halloweenit dhe shpjegon se ç’lidhje kanë shtrigat, fantazmat dhe të tjerat me këtë histori.

Misri dhe gruri

Domethënia e misrit dhe grurit është e thjeshtë. Halloweeni festohet në vjeshtë dhe në kulturën Samhain shënonte fundin e verës dhe të të korrave. Misri dhe gruri janë simbole të ndryshimit agrokulturor dhe ndryshimit të stinëve. Është simboli që përfaqëson në mënyrën pragmatike më të qartë të mundshme këtë feste kontradiktore. Fundi i verës = të korra = grurë dhe ushqim për dimrin. Kaq.

Ngjyra portokalli dhe ngjyra e zezë

Në mënyrë të ngjashme me simbolin e mësipërm, ngjyra portokalli dhe ngjyra e zezë janë paraqitje të mëtejshme të periudhës korresponduese të vitit, më shumë sesa pjesë e mitologjisë së Halloweenit. Ngjyra portokalli paraqet vjeshtën, kur gjethet bien dhe ndryshojnë nga të gjelbra në të kuqërremta. Sipas traditës kelte, festa shënonte kalimin nga ditët “me ndriçim” në ditët “e errëta”. E zeza me gjasa paraqet ditët e errëta të dimrit kur dita shkurtohet. Sigurisht Halloweeni modern shekullar nuk i ka më tipike këto dy ngjyra, prandaj një shpjegim i tillë mund të duket i dobët, por është i vërtetë.

Merimangat

Le të kalojmë te merimangat! Nëse shkoni në një festë Halloweeni do të ndesheni patjetër me figura merimangash të shpërndara kudo. Diskutimi lidhur me ndonjë cilësi të mundshme mistike të merimangave, mund të konsiderojë që merimangat kanë pëlhurë, gjë që është asociuar me kalimin e kohës, progresin dhe fatin. Kjo nuk është dhe aq mistike, megjithatë! Në fund të fundit, endja e pëlhurës nga merimangat është një paraqitje natyrore e ciklit të jetës. Gjithashtu, merimangat preferojnë vendet me pluhur dhe të errëta, prandaj në një shtëpi të braktisur (një vend i preferuar për Halloweenin) do të mund të gjeni shumë merimanga dhe pëlhurë merimangash.

Lakuriqët e natës

Lakuriqët e natës, siç sugjeron edhe emri, janë krijesa të natës, prandaj është e natyrshme që festimi i fundit të stinëve me dritë dhe fillimit të atyre me errësirë të përfshijë edhe lakuriqët e natës. Për më tepër, lakuriqët e natës janë pjesë e legjendave të ndryshme, sipas të cilave ata mund të komunikojnë me të vdekurit. Se si kjo mund të dihet është e pasigurt, pasi lakuriqët e natës nuk komunikojnë me ne e për rrjedhojë nuk mund të na e thonë këtë. Gjithashtu, në legjendat e vampirëve, të cilat janë pjesë e folklorit të Halloweenit, lakuriqët e natës luajnë rolin e tyre – duke qenë se vampirët mund të ktheheshin në krijesa më të ulëta si lakuriqët e natës. Të gjitha këto shpjegime i bëjnë lakuriqët e natës elementët më të qenësishëm të Halloweenit.

Macet e zeza

Sipas disa kulturave të lashta, besohet se gjatë natës së Halloween-it veli ndarës midis botës sonë dhe botës së shpirtrave është shumë i hollë. Fetë e vjetra kelte sugjeronin që macet ishin rimishërime të shpirtrave të njerëzve dhe se ato kishin aftësi të parashikonin të ardhmen. Gjithashtu, mendohej se shtrigat mund të shndërroheshin në mace. Shumica e shtrigave ishin gra të vetmuara dhe shumica prej tyre kishin mace. Prandaj vërehet një familjaritet i madh midis shtrigave dhe maceve. Në vitet 1600 dhe 1700 kultura të ndryshme gjatë muajit qershor merrnin pjesë në ceremoni ku digjnin macet. Kjo praktikë u ndoq për qindra vite në fshatrat francezë derisa praktika u shfuqizua. E tillë është fuqia supersticioze e maceve.

Skeletet

Duke u kthyer sërish te besimi se “natën e Halloweenit vija ndarëse midis botës së të gjallëve dhe botës së të vdekurve është shumë e hollë”, skeletet janë simbol i shpeshtë i Halloweenit pikërisht për këtë arsye. Kafka veçanërisht është simbol në shumë kultura, duke shërbyer si manifestim i vdekshmërisë së njerëzve, frikës nga vdekja ose rrezikut që mund të jetë vdekjeprurës. Mendoni për simbolin e Jolly Rogerit në anijet e piratëve. Ai përdorej për të kërcënuar anijet e tjera. Ndërkaq, keltët besonin se kafka ishte “vendi psikik” i shpirtit njerëzor. Në fund të fundit, kafkat dhe skeletet asociohen me Halloweenin, sepse prezantojnë fundin e pjesës fizike të jetës, diçka që lidhet me Halloweenin në dy kuptime: së pari me vdekjen e stinëve “të dritës” dhe së dyti, me perceptimin mbi lidhjen me botën e shpirtit.

Fantazmat

Duke qenë se në fillesat e tij, Halloweeni festohej jo vetëm për fundin e të korrave, por edhe për ata që kishin kaluar në “mbretërinë” tjetër, shpesh ai quhej “festivali i të vdekurve”. Ideja e fantazmave sugjeron që Halloweeni është nata kur shpirtrat e të vdekurve janë në gjendje të ecin mes të gjallëve. Për më tepër, në kuptimin modern të Halloweenit, fantazmat janë element shtesë për të krijuar atmosferë të nderë dhe të frikshme.

Maskat dhe kostumet

Ç’do të ishte Halloweeni pa kostume? Nëse kthehemi mbrapa në kohët kelte, të pranishmit vishnin kostume me qëllim trajtimin e shpirtrave të vdekur. Mendohej se, nëse ata do të arrinin të mashtronin të vdekurit, shpirtrat do të reshtnin së bezdisuri. Natën kur veli midis botës së shpirtrave dhe botës natyrore ishte kaq i hollë, është më mirë të pretendosh se je dikush tjetër. Në fillim të shekullit XX, amerikanët filluan të vishnin kostume për Halloween, pro pa besimet kelte në mendje.

Shtrigat

Cili është kostumi më i preferuar për vajzat natën e Halloweenit? Sigurisht, jo ai i princeshave të Disney-t. Kostumi i shtrigave! Cili është subjekti më i preferuar i filmave në lidhje me Halloweenin? Vrasës serialë që nuk mund të kapen! Nëse do të flisnit me dikë nga periudha e Shtrigave të Salemit, diferenca nuk është aq e madhe. Besohej se fuqitë e shtrigave ishin më të mëdha gjatë natës së Halloweenit. Mendohej se ato kishin lidhje me djallin. Edhe sot simboli i një shtrige mbi fshesë në një natë me hënë është një ndër simbolet më tradicionale të Halloweenit.

Artikuj të ngjashëm