Shumë njerëz kanë përjetuar ndjenjën e ankthit, disa dinë ta adresojnë e disa nuk e kuptojnë se çka në realitet po ndodh me ta.
Çrregullimet e ankthit formojnë një kategori të diagnozave të shëndetit mendor që çojnë në nervozizëm, frikë dhe shqetësim të tepruar, në disa raste nxitet nga stimuj të jashtëm të identifikuar e në raste tjera individi nuk është në gjendje ta kuptojë gjenezën e kësaj ndjenje.
Bebe Rexha ka folur haptazi për problemet e saj me shëndetin mendor, duke thënë se kjo periudhë e jetës së saj, e ka inspiruar të bëjë muzikë.
“Kisha momente kur s’doja të dilja nga shtëpia ose nervozohesha shumë nëse shkoja nëpër ndeja. Qëndroja në një qoshe dhe tmerrohesha. Nuk e dija se çfarë ishte ankthi. E pata gjetur një terapist dhe mësoja mënyra se si ta kontrolloja. Unë shkoja te terapisti në fillim të të 20-tave”, ka thënë Rexha, e cila ka folur edhe për fansat e saj dhe muzikën.
Edhe Gashi me anë të një postimi në Instagram, pranoi se vuan nga ankthi dhe se si trupi i tij e përjeton këtë ndjenjë.
“Ndihem si m*t…ankthi po më shkatërron të gjithë trupin.” – shkroi ai.
Justin Bieber po ashtu kohëve të fundit, ka marrë seriozisht trajtimin e depresionit dhe ankthit.
“Doja vetëm të ju lajmëroja se ajo çfarë po kaloj tani, të rezonojë me ju. Po heq shumë. Po ndihem i distancuar dhe çuditshëm. Gjithnjë më kalon dhe nuk jam i merakosur, por dua që të gjithë ju të thoni një lutje për mua. Zoti është i mëshirshëm dhe pranon lutjet e juaja.” shkroi Justin Bieber kohë më parë në Instagramin e tij për shëndetin e tij mendor.
Kur shohim një njeri të famshëm, shpesh mendojmë se ata kanë gjithçka që dikush mund të dëshirojë – famë, pasuri, një punë që ata duan dhe fuqi. Nga kjo jetë e idealizuar që ne parashikojmë për ta, shpesh vjen me një supozim të rremë se jeta e tyre duhet të jetë e përsosur.
Por ky supozim është thjesht i pasaktë, pasi të gjithë përballen me sfida në jetë. Për çrregullimet e ankthit nuk ka rëndësi nëse keni një milion euro në bankë ose një pagë minimale. Çështjet e shëndetit mendor nuk diskriminojnë, dhe asnjë sasi e pushtetit nuk e bën dikë imun ndaj ankthit.
Mirëpo fama dhe pasuria ka anën e errët të saj, që nganjëherë kalon atë të bukurën. Të famshmit kanë probleme si ne dhe mungesa e privatësisë sikurse dhe lakimi i emrit të tyre në media, bën që shumë të kenë frikë vet prezencën e tyre në botë dhe të mos mund të menaxhojnë jetën personale dhe publike. /Prive.al