Sot Kosova feston 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
E për këtë datë të veçantë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka realizuar një video urimi për të gjithë shqiptarët, me urime nga yjet më të mëdhenjë të kulturës dhe sportit shqiptar.
E para që nisi videon ishte ylli shqiptar me famë botërore Dua Lipa, e cila u shpreh:
“Gjithçka që e bëjmë, e bëjmë me dashuri dhe pasion, sepse kështu jemi të formuar. Sfidat që kishim, ato me të cilat ballafaqohemi dhe krenaria për identitetin tonë na bënë më të fortë se kurrë, ndërsa i tregojmë botës se kush jemi përmes artit, kulturës dhe sportit. Urime ditëlindjen e 14-të Kosovë, të dua shumë”, tha Lipa.
Ndërsa ylli i hitit “Shine ya light” Rita Ora, e nisi fjalimin në gjuhën shqipe duke thënë:
“Përshëndetje, unë jam Rita Ora, urime Dita e Pavarësisë. Si ambasadore e Kosovës e shoh shumë të rëndësishme ta festojmë këtë ditë, ka aq shumë domethënie për ne. Shpresoj që të gjithë të keni një ditë të mrekullueshme”, u shpreh Rita në urimin e saj.
“Të punojmë shumë dhe të na shtohen sukseset në çdo fushë. Urime pavarësinë të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, uroi Majlinda Kelmendi.
Ndërsa Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u shprehën:
“Bashkë po rritemi dhe Kosovën tonë po e bëjmë të njohur në të gjithë botën. Urime Kosovë”.
Regjisorja e filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli, përmendi sukseset e shumta të kinematografisë në urimin e saj për Pavarësinë e Kosovës.
“Urime Pavarësinë Kosovë, 14 vjet shtet. Viti i kaluar ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për kinematografinë në Kosovë. Uroj që vitet e ardhshme të jenë edhe më të suksesshme, kemi edhe shumëçka për të treguar”, tha Blerta Basholii.
Ndërsa regjisori Samir Karahoda u shpreh: “Vitin që lam pas, ne ishim pjesëmarrës në ngjarjet më të mëdha të filmit në botë. Në shumicën prej tyre edhe triumfuan, prandaj kjo është dëshmia më e mirë, që me punë edhe nga vendi jonë i vogël mund të dalin gjëra të mëdha. Urime Ditën e Pavarësisë”.
Dhe për fund Kiana Kryezu dhe Albin Tahiri, dhanë një urim të veçantë nga Pekini i Kinës: “Nga Pekini i Kinës, ju urojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Rroftë Kosova”. /Prive.al