Me trendin në rënie të emrave të njohur botëror që po vijnë në Kosovë për të performuar, një prej paraqitjeve që pritej më së shumti ishte ajo e mbrëmshmja e reperit gjerman Bushido në festivalin siç u tha të ribrenduar, P+.
Megjithatë, fansat e shumtë në numër që kanë pritur me orë të tëra në fund janë zhgënjyer keq kur Bushido nuk ka dalur në skenë shkaku i problemeve ‘Made in Kosova’, problemeve me gjenerator.
Ka qenë vetë reperi që ka shprehur përmes një postimi keqardhjen për anulimin e performancës teksa të pranishmit kanë vërshuar me kritika tejet të ashpëra për organizatorët që siç është deklaruar, nuk kanë marrë mundin deri para pak minutash të kërkojnë falje për dështimin.
Por, duket se vendimi i organizatorëve të P+ Festival i bërë publik tek sot, që kompenzimi të bëhet përmes biletave falas për dy ditët e ardhshme dhe pajisjes me rekuizita të festivalit nuk i ka pëlqyer aspak personave që kanë paguar për koncertin.
Dhjetëra komente gjenden lehtësisht në faqen e P+ Festival ku kërkohet kompenzimi monetar dhe jo i kësaj forme pas anulimit të performancës nga Bushido.
Ndryshe, reperi gjerman pritet të vij në Kosovë vitin e ardhshëm ku çmimi i biletave do jetë simbolik, thuhet mes tjerash në komunikatën për media të lëshuar nga P+ Festival në orën 12 të mesditës. /Prive.al/