Artistja e famshme me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, do ta kryesojë skenën “Pyramide” të premten e 28 qershorit.
E njohur për transparencën e saj, Lipa zbuloi se është entuziazmuar për performancën në fjalë.
“Të premten mbrëma në skenën kryesore të festivalit ‘Pyramide’. Kam ëndërruar për këtë moment gjatë gjithë jetës. Diçka që ka jetuar vetëm në ëndrrat e mia më të largëta po bëhet realitet. Është një nga manifestimet më të rëndësishme në jetën time. Jam shumë e emocionuar dhe mezi pres t’ju takojë në vendin tim të preferuar dhe bashkë ta kalojmë një natë të paharruar”, shkroi ajo pos tjerash.
Në anën tjetër, në një intervistë të fundit për “The Mirror”, këngëtarja ka zbuluar pak detaje nga performanca e saj në festival.
“Do të sjell shumë energji në skenë, ky është plani. Nga sekondat e para thjesht dua t’i mbaj njerëzit duke vallëzuar, dhe të sigurohem që e njëjta energji t’i përcjellë gjatë gjithë natës. Dua ta përjetoj çdo moment të interpretimit. Dua që njerëzit të argëtohen në maksimum”, ka thënë Dua.
Kjo do të jetë hera e parë që Lipa është në mesin e performuesve kryesorë të festivalit. Gjithashtu për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje, dy artiste zënë vend në tri performancat kryesore të festivalit.