Këngëtarja e njohur Besa Kokëdhima ka nisur një fushatë ku kundërshton projektin e bashkisë së Tiranës për Kopshtin e ri Zoologjik, i cili parashikon lidhjen e tij me Kopshtin Botanik.
Përmes një videoje ndërgjegjësuese me imazhe goditëse artistja mban një qëndrim pro kauzës për mbrojtjen e kafshëve, duke dalë kundër projektit që nuk do të jetë veçse burgu i ri i tyre.
“Thuaji ‘JO’ projektit për Kopshtin Zoologjik të Bashkisë Tiranë! Një kopsht zoologjik nuk është asgjë tjetër veçse një BURG! E vetmja gjë që edukon brezin e ri është si të mos na bëjë përshtypje shtypja dhe dhimbja e qenieve të tjera! Deri në momentin që të keni fuqi të bëni sanktuare të hapura ku janë njerëzit që i vizitojnë të izoluar, kjo mizori është absurde dhe e panevojshme. Ka 1000 halle të tjera ku të investoni pozitivisht sa të bëni investime në kundërshtim me etikën njerëzore dhe nevojat e popullit shqiptar! THUAJ JO!”, thuhet në mesazhin e këngëtares së njohur.
Projekti, për te cilin nuk ka informacione dhe nuk dihet ende qëllimi i saktë, u prezantua nga kryebashkiaku Veliaj disa dite me pare gjate nje takimi me disa femije. “Ne do të bashkojmë zonën e Kopshtit Zoologjik me Kopshtin Botanik, pra që edhe bota e bimëve, edhe bota e kafshëve, të jenë të përziera me njëra-tjetrën, dhe jo të ndara me gardhe dhe me bileta. Pra, me një biletë do të kemi mundësi të shkojmë deri në fund të Kopshtit Zoologjik, dhe pastaj të kalojmë kodrën dhe të futemi prapë në një hapësirë tjetër të gjelbër, që është Kopshti Botanik”, u shpreh Veliaj.