Ka vdekur në moshën 33-vjeçare, këngëtari i muzikës popullore moderne, Ylber Aliu.
Këngëtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka kohë që është trajtuar në dializë, pasi rreth tri vite më parë u raportua se nëna e tij i kishte dhuruar veshkën e cila i kishte dështuar së funksionuari, çka e detyroi atë që qysh nga prilli i vitit 2020 të trajtohej në spitale.
Këngëtari nga Shkupi është baba i tre fëmijëve – dy vajzave dhe një djali.
Lajmi për vdekjen e këngëtarit ka pikëlluar artistët, të cilët u drejtuan për në rrjetet sociale që të shprehin ngushëllimet e tyre.
Gold AG, Adem Ramadani, Aida Doçi, Asim Gashi, Shkurte Gashi, Violeta Kajtazi, Floriani dhe Lindoni; janë vetëm disa prej emrave të njohur që shprehën ngushëllime për vdekjen e Ylberit.
“Allahu të mëshiroftë o vlla Ylber, do t’na mungosh gjithmonë deri sa një ditë të takohemi në Xhenet me lejen e Krijuesit Mëshirplotë”, shkruan Goldi në një postim.
Në anën tjetër, Adem Ramadani ka emocionuar me dedikimin për artistin e ndjerë, me të cilin kishte bashkëpunuar disa herë.
Të Allahut jemi dhe tek Ai të gjithë do të kthehemi ‼️ Si fëmi shumë jemi dashtë.
E sa herë kemi qenë bashkë, në shumë simpoziume, koncerte, emisione dhe pothuajse shumë të rralla janë projektet e mia ku ti nuk ke marr pjesë. Ti ke qenë një talent i rrallë, artist i madh dhe besimtar i vërtetë. E duke qajt dert për sëmundjen tënde e kujtoj fjalën ku shpesh ma thoje – “ Allahu më ka dhënë shumë sabër “ – Do t’më mungosh shumë Ylber. Lus Allahun e Madh që bashkë të jemi në Xhenetet e Tij të larta, atje ku më nuk ka sëmundje, nuk ka lot, as dhimbje e as vdekje. Ngushllimet më të përzemërta Familjes Aliu, ngushllime gjithë shqiptarëve”, shkruan Ramadani.
Edhe Shkurte Gashi shprehu ngushëllimet dhe pikëllimin e saj me anë të një postimi në Instagram. /Prive.al