Është prodhim i vitit 2019, mirëpo në këtë periudhë izolimi është kthyer në fenomen kinematografi e madje ndër më të shikuarit në platformën “Netflix”.
“Mrekullia në qelinë numër shtatë” është emri i këtij filmi që ka bërë edhe shumë shqiptarë të mos i përmbahen lotëve mes tyre edhe personazhe publike.
Fabula e saj flet për një dashuri të pastër mes vajzës Ova dhe babait të saj i cili ka ngecje mendore, e madje stërgjyshja e saj i thotë se i ati ka të njëjtën moshë me të.
Ky i fundit burgoset gabimisht për vrasjen e një vajze të vogël e cila ishte moshatare e Ovës dhe dënohet me vdekje.
Aktori Aras Bulut İynemli që luan babain në film është tejet i lumtur me suksesin e këtij filmi dhe si ka prekur shumë njerëz anembanë botës.
Në llogarinë e tij në Instagram, ai shkruan:
“Udhëtimi i “Mrekullia në qelinë Nr.7” filloi me dashuri. Ne e donim shumë historinë tonë. Filmi ynë vazhdon të krijojë mrekullinë e tij. Ai arriti te shumë njerëz në të gjithë botën në ditët më të vështira. Le t’i qëndrojmë njëri-tjetrit afër me dashuri. Faleminderit për interesimin tuaj. Qëndroni të shëndetshëm dhe të sigurt.” /Prive.al