Dy ditë më parë u bë e ditur se Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) i ka tërhequr vërejtjen Radiotelevizionit Publik Shqiptar për transmetimin e këngëve të këngëtares serbe Svetllana Razhnatoviq, e njohur me nofken Ceca.
Nga marrja e këtij vendimi ka reaguar këngëtarja Ceca e cila për mediat serbe ka thënë se ky vendim është një manipulim klasik dhe se këngët e saj gjithmonë kanë qenë me tematikë dashurie.
“Për aq sa e di unë, muzika ime nuk ka kufij, e mbaj këtë rregull gjatë gjithë karrierës sime që zgjat më shumë se 30 vjet. Këngët po lidhin njerëzit. I dua të gjithë njerëzit”, ka thënë 46-vjeçarja.
Ajo shtoi se ajo është një patriote që e do popullin e saj dhe gjithmonë do të jetë në anën e tij.
“Kjo nuk do të thotë se unë e urrej apo nuk e respektoj askënd sepse janë fetë, njerëzit apo kombësitë e tjera. Kjo nuk jam unë,” tha ajo. “Unë do të këndoj për ta kudo që të dëshirojnë, për sa kohë që ata duan, dhe këngët e mia nuk kanë mesazhe politike.” /Prive.al