Zhvillime të reja janë bërë të ditura në lidhje me super skandalin e zbuluar dje në mëngjes që përfshin artisten Loredana Zefi në një skemë mashtrimi e zhvatje.
Portali zviceran ‘20min’ raporton se avokati i Loredanës ka kontaktuar mbrëmë vonë zonjën Petra Valais në tentim për të gjetur kompromis.
Zonja Valais ka deklaruar se në bisedën me avokatin i cili e ka kontaktuar mbrëmë në ora 21:53, ai i ka thënë se Loredana është e pafajshme dhe vëllezërit e saj e kanë shtyrë në këto veprime. Më pas, avokati i ka ofruar 200.000 frangë. Kur zonja Valais refuzoi, ai e rriti ofertën për kompromis në 350.000 frangë.
‘Unë refuzova sërish sepse i kam dhënë Loredanës dhe vëllait të saj dyfishin e kësaj shume’ – deklaroi Petra për ’20min’.
Ndryshe, avokati i Loredanës e ka konfirmuar për ‘20min’ që klientja e tij ka ofruar kompenzim material për familjen Valais në vlerë prej 350,000 frangësh. Portali raporton se negociatat po vazhdojnë. /Prive.al