E ftuar së fundmi në emisionin emisionin me Roza Latin, të titulluar “Why Not” ishte këngëtarja shumë e njohur Bleona Qereti, e cila ka rrëfyer një episod epik nga koncerti i saj në Londër, ku kishte performuar së bashku me Rita Orën.
Bleona rrëfen se i kishte ndodhur disa herë të mos e paguanin në koncerte pasi ajo kishte performuar në skenë, kështu që para performancës në Londër, ajo është mbyllur në tualet duke kërkuar paratë e saj, ndërkohë që fansat e prisnin në skenë.
“Unë jam si të fortët. Mbasi marr lekët e mia, pastaj ndihmoj dhe familjen, marr dhe lekët e të tjerëve. Shumë organizatorë, flasim para shumë viteve, organizonin këto koncertet zakonisht kishin dhe një qëllim të fshehur. Donin të thërrisnin artistët dhe të mos u jepnin lekët pas koncertit.”- tregon Bleona.
“Kështu që, artistët e shkretë dilnin në skenë, këndonin e bënin punën e tyre dhe në fund niseshin në shtëpi pa para. Mua, pasi më ndodhi kjo punë një herë, dy herë, e pashë që ishte bërë modë kështu që nuk dilja në asnjë koncert pa marrë paratë e mia. Pasi merrja të miat, merrja dhe të kolegëve. Thoja, ‘Mirë unë që nuk dal, por nuk del asnjë njeri derisa të merrnin lekët.’ Është mentalitet i të fortëve, por unë zborin e kam bërë në Shqipëri kështu që është normale.”- vazhdon ajo.
“Mbaj mend në një koncert në Londër, ka qenë dhe Rita dhe vërtetë u mbylla në banjo dhe i thashë jam me dhimbje stomaku, nuk dal. Njerëzit bërtisnin në skenë “Bleona Bleona”. Shkon Rita e i thotë, ‘Shiko, asaj po nuk i dhe lekët nuk të del në koncert. Ta harrosh këtë punë’. Mbaj mend atë të shkretin që i binte derës dhe thoshte, Bleona i kam këtu lekët e tua. Dhe mbaj mend që unë mora lekët e gjithë grupit që kishim shkuar në Londër”, ka rrëfyer këngëtarja.