Se Dua Lipa përbën një emër që do marrë vëmendjen me kohë të gjithë publikut si një yll ndërkombëtar kjo tashmë është e ditur.
Stili, pamja, shkrimet e mediave më prestigjioze që i kanë vlerësuar komponentet e vajzës nga Prishtina si një yll i ardhshëm vetëm se kanë vulosur rrugën e drejtë në rrugëtimin aspak të lehtë të Duas drejt suksesit.
Megjithatë, deri së fundmi audienca e këngëtares ka qenë e reduktuar në numra.
Ajo nuk ia ka arritur të performojë shumë mirë në shikimet tek kanali i saj në Youtube që shpesh madje ishte prapa kolegëve të saj shqiptarë (ndonëse kjo çështje është e kontestueshme dhe vihet shumë në dyshim mes artistëve shqiptarë).
Por, projekti i fundit duket se ka hapur një faqe të re.
Këngëtarja e njohur me bashkëpunimin tek ‘Scared to be lonely’ me Martin Garrix ka shënuar një sukses të paparë deri tani.
Kënga e publikuar tek kanali zyrtar i DJ-it të njohur për katër ditë ka arritur pothuajse tetë milionë shikime teksa pozicione të mira ka kapur edhe në top lista të ndryshme.
Fansat e kanë pëlqyer këtë duet edhe më shumë sesa atë me Sean Paul i cili gjithashtu korri sukses të madh.
Kujtojmë se Dua ka shtyrë për në Qershor publikimin e albumit të parë në karrierë i cili fillimisht parashihej të jetë i gatshëm për publikun me 17 Shkurt të këtij viti. /Prive.al/