Dikur, në periudhat para dhe pas luftës, ajo ishte këngëtarja më me influencë në trojet shqipfolëse që prodhonte hite dhe solli revolucion në botën e muzikës të Kosovës e Shqipërisë.
Bëhet fjalë për këngëtaren Adelina Ismaili, karrierës të së cilës tani po i bëhet edhe një studim nga CHwB Kosova – një organizatë e pavarur me mision mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të prekur nga konflikti, njofton Klankosova.tv.
“‘Adelina: Një tregim i qenies pa kompromis’ është projekt hulumtues që analizon aktivitetin artistik të Adelina Ismailit përballë rrethanave problematike shoqërore gjatë viteve të 90-ta dhe 2000-ta dhe synon ta lexojë atë përmes teorisë kritike dhe feministe, me shpresën që të shërbejë si pikënisje e një dialogu më të gjerë mbi rolin e shprehjes individuale kreative në mendësi kolektive”, thuhet në një postim njoftues.
“Paraqitjet publike të Adelina Ismailit shërbejnë si gjurmë të një procesi strategjik të përmbysjes së vlerave shtypëse të shoqërisë përmes një kodi të performancës që nuk është menjëherë i dukshëm, por fuqimisht prezent, në një formë të modifikuar. Subjekti refuzon të kushtëzohet nga pritshmëritë e një shoqërie patriarkale në kohë emergjente historike dhe rrjedhimisht përgatit kushtet për një kod të ri performativ—jo vetëm në skenë, por edhe përtej saj si një ‘premtim politik’ dhe si shembull i lirisë së vetëpërmbajtur”, thuhet tutje.
Fotografia e Ismailit e vendosur në kopertinë të studimit është shkrepur në vitin 1996, ndërsa maska me të cilën kishte pozuar ishte e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
View this post on Instagram