Dy gra kanë akuzuar aktorin e “Sex And The City”, Chris Noth, se i ka sulmuar seksualisht në vitin 2004 dhe në vitin 2015.
Gratë dhanë detaje të sulmeve të supozuara për “The Hollywood Reporter”, të botuara duke përdorur pseudonimet Zoe dhe Lily.
Revista thotë se gratë nuk e njohin njëra-tjetrën.
Në një deklaratë, Noth, 67 vjeç, tha se “takimet ishin konsensuale” dhe se akuzat për sulm janë “kategorikisht të rreme”.
Zoe, tani 40 vjeç, thotë se ishte 22 vjeçe kur aktori dyshohet se e përdhunoi në një apartament në West Hollywood në vitin 2004.
Lily, tani 31 vjeç, thotë se ajo u përdhunua në apartamentin e tij në Greenwich Village në New York në vitin 2015, kur ajo ishte 25 dhe ai 60 vjeç.
Chris Noth është i njohur për rolet e tij të aktrimit në Law & Order dhe Sex And The City, në të cilat ai luajti një personazh kryesor.
Në një deklaratë të aktorit për ‘The Hollywood Reporter’ dhe ‘Rolling Stone’ thuhet: “Akuzat kundër meje të bëra nga individë që kam takuar vite, madje edhe dekada më parë, janë kategorikisht të rreme”.
“Është e vështirë të mos vihet në dyshim koha e daljes së këtyre historive. Nuk e di me siguri pse po dalin në sipërfaqe tani, por e di këtë: nuk i kam sulmuar këto gra”.
Zoe jetonte në Los Anxhelos në vitin 2004 dhe ishte e punësuar në një kompani që punonte me Noth dhe personazhe të tjerë të famshëm.
Pas asaj që ajo e përshkruan si flirte, Zoe thotë se pranoi një ftesë për ta vizituar atë në apartamentin e tij në West Hollywood, ku ajo pretendon se ai e përdhunoi atë.
Më pas, një shoqe këmbënguli që të shkonin në një spital, ku ajo kishte nevojë për qepje për shkak të sulmit. Policia erdhi për të folur me të, por ajo thotë se nuk pranoi të tregojë se kush e kishte sulmuar.
Në anën tjetër, aktori Chris Noth është i martuar me aktoren Tara Wilson që nga viti 2012. Ata kanë dy fëmijë së bashku.