Pse disa njerëz nuk zbatojnë rregullat kundër pandemisë?

By

Masat e izolimit dhe distancimit fizik, që janë prezantuar në gjithë botën për të parandaluar përhapjen e virusit të ri, janë duke riformësuar jetën e njeriut dhe janë duke krijuar norma të reja shoqërore.

Mirëpo ekzistojnë gjithmonë disa persona që nuk zbatojnë këto vendime, përcjellë Klan Kosova.

Shkelja e rregullave nuk është fenomen i ri, mirëpo shkencëtarët që merren me sjelljet shoqërore thonë se situata është duke u përkeqësuar përgjatë pandemisë me koronavirus për shkak të faktorëve kulturorë, demografikë dhe psikologjikë, që mund të bëjnë mospërfillësit të duken më egoistë edhe më të rrezikshëm.

Këtu janë disa prej pyetjeve dhe përgjigjjeve sa i përket shkencës që studion sjelljet shoqërore teksa përhapet sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Çfarë ndikon që disa të zbatojnë rregullat dhe të tjerët të mos i përfillin ato?

Faktor kyç është individualizmi vs. kolektivizmi.

“Disa shtete kanë tendenca të jenë më shumë në anën e individualizmit, që ka të bëjë me shprehjen e identitetit dhe atë se kush jeni ju si individ”, ka thënë Jay Van Bavel, profesor i asociuar i psikologjisë në Universitetin e Nju Jorkut, për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Njerëzit në kulturat individualiste kanë më shumë tendenca të kundërshtojnë rregullat dhe të injorojnë përpjekjet e autoriteteve të shëndetit publik që të “nxisin” ndryshimet në sjellje përmes mesazheve për rrezik apo thirrjeve për altruizëm.

“Shembull, nëse thoni se vendosja e maskës do të ndihmojë në mbrojtjen e të tjerëve, njerëzve në kulturat individualiste kjo gjë nuk ju bën përshtypje”, ka thënë Michael Sanders, ekspert në Institutin për Politika në Kolegjin King të Londrës.

Në kulturat kolektive, njerëzit kanë më shumë mundësi të bëjnë atë se çfarë është më e mirë për grupin.

Hulumtuesit kanë thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë qenë shembuj të kulturave individualiste, derisa kulturat aziatike kanë qenë më shumë nga ana kolektive.

A janë të rëndësishme besimi dhe frika?

Po. Këto dhe instinkte tjera kanë ndikim të madh në sjelljen e njeriut.

Në shoqëritë me më shumë ndasi politike, njerëzit kanë më pak tendencë t’iu besojnë këshillave nga njëra palë apo tjetra, dhe tentojnë të krijojnë kampe pro dhe kundër.

Optimizmi dhe frika po ashtu kanë rëndësi të madhe. Pak nga secila mund të kenë ndikim pozitiv, mirëpo shumë nga ndonjëra prej tyre mund të shkaktojë dëm.

“Në situata si kjo me pandeminë (optimizmi) mund të çojë drejt situatave që janë jashtëzakonisht të rrezikshme”, ka thënë Van Bavel.

Pse është i vështirë distancimi fizik?

“Ne jemi vërtet kafshë sociale”, ka thënë Van Bavel.

“Trupat tanë dhe truri janë të dizajnuar për t’u lidhur dhe pandemia në shumë mënyra shkon kundër instinkteve për bashkim”.

Siç shkruan REL, kjo është pjesërisht arsye pse shpërthimet e virusit ndodhin nëpër bare, klube të natës, ceremoni fetare, dasma, apo ndenja tjera.

“Njerëzit e kanë shumë të vështirë t’i rezistojnë tendencës për lidhje shoqërore dhe asaj grupore”.

Nëse mospërfillësit e rregullave janë të paktë, pse ka rëndësi kjo gjë?

“Problemi është se në një problem masiv kolektiv si ky me të cilin po përballemi tani, nëse të gjithë shkelin rregullat për pak, atëherë nuk përbën ndryshim nëse shumë njerëz që nuk zbatojnë rregullat aspak”, ka thënë Sanders.

Artikuj të ngjashëm