Edicioni i 55-të i Festivalit të Këngës, debakël për t’u mbajtur mend?!

By

Ishte trumbetuar shumë një erë e re në televizionin publik shqiptar që shansin më të mirë për t’u dëshmuar se ka nisur do kishte edicionin e sivjetmë të Festivalit të Këngës.

Emra të njohur aderuan në staf, por sipas të gjitha gjasave jo për të sjellë diçka ndryshe por thjesht për t’u rehatuar në pozita.

Edicioni i 55-të i Festivalit të Këngës, përpos skenografisë së konceptuar me shumë shije e grafikave të duhura, po rezulton një debakël i llojit të vetë.

Në një ambient që s’ka arritur të mbushë as gjysmën e sallës, me këngë që pothuajse asnjëra nuk premton ndonjë sukses eventual as minor në Eurovision, ajo që po lë përshtypje edhe në natën e dytë është moderimi.

Kasem Hoxha dhe Ledina Çelo, as në natën e dytë nuk kanë arritur të gjejnë kiminë mes vete.

Çdo sekond në skenë, edhe në mbrëmjen e dytë po shoqërohet me ngecje. Dyshja nuk po del në asnjë moment përtej skaletës, teksa në ekran reflektojnë pasiguri e mungesë të spontanitetit që vihet në pah edhe më shumë nga atmosfera e zymtë e një heshtjeje ekuivalente me atë të një ceremonie mortore.

Përtej fustanit në tendencën tashmë seksiste për të tërhequr audiencë me ekspozim të hireve, shtrohet pyetja – për çfarë do mbahet mend Festivali i Këngës në edicionin e 55-të të tij?! Ne themi për (mos)përpjekjen e dëshpëruar të daljes nga gremina!

Artikulli i lartëcekur pasqyron qëndrimin editorial të redaksisë së portalit Prive.al mbi temën

 

Artikuj të ngjashëm