Vrapimi mund të lehtësojë depresionin po aq sa mjekimi

By

Një studim i ri nga Universiteti Vrije në Amsterdam krahasoi efektet e antidepresantëve dhe vrapimit në ankthin, depresionin dhe shëndetin e përgjithshëm gjatë një periudhe 16-javore.

Studimi përfshiu 141 pacientë që kishin depresion dhe/ose ankth. Atyre iu dha mundësia të zgjidhnin të merrnin antidepresantë SSRI (frenues selektiv të rimarrjes së serotoninës) ose të merrnin pjesë në terapi vrapimi të bazuar në grup për një periudhë 16-javore, sipas një njoftimi për shtyp nga universiteti.

Shumica e pacientëve – 96 prej tyre – zgjodhën vrapimin, ndërsa 45 zgjodhën ilaqet kundër depresionit.

Për sa i përket shëndetit fizik, vrapimi tregoi përmirësime, ndërsa ilaqet kundër depresionit patën një ndikim paksa negativ.

Një pengesë e vrapimit ishte se kishte një shkallë shumë më të lartë të braktisjes, zbuloi studimi.

“Ky studim u dha njerëzve në ankth dhe depresion një zgjedhje në jetën reale, ilaçe apo ushtrime”, tha studiuesja kryesore Brenda Penninx. “Është interesante se shumica zgjodhën ushtrimet, gjë që bëri që numri në grupin e vrapimit të ishte më i madh se në grupin e ilaçeve”, shkruan “Fox News”, transmeton KlanKosova.tv.

Grupi i antidepresantëve mori ilaçin Escitalopram, i cili përdoret për trajtimin e depresionit dhe çrregullimit të ankthit të përgjithësuar. Grupi i vrapimit mori pjesë në dy deri në tre seanca grupore “të mbikëqyrura nga afër” 45-minutëshe në javë.

Edhe pse më shumë njerëz zgjodhën terapinë e vrapimit, vetëm 52% e tyre i përmbaheshin rutinës së stërvitjes – ndërsa 82% e grupit të antidepresantëve iu përmbajtën ilaçeve të tyre, thuhet në njoftim.

Në fund të periudhës 16-javore, rreth 44% e njerëzve në të dy grupet treguan përmirësime në simptomat e depresionit dhe ankthit.

Ilaqet kundër depresionit janë “përgjithësisht të sigurt dhe efektiv” për shumicën e njerëzve, tha Penninx – megjithëse ato kanë efekte anësore të mundshme për disa njerëz, dhe nëse dëshironi të ulni dozën e antidepresantëve patjetër duhet të konsultoheni me doktorin tuaj, shtoi ajo.

“Gjetjet e studimit sugjerojnë se terapia e ushtrimeve mund të jetë një zgjedhje e mirë – dhe ndoshta edhe më e mirë – për disa pacientë”, tha Penninx. “Megjithatë, stërvitja nuk duhet të konsiderohet si një “ilaç mrekulli”, pasi që ka ndikim të ndryshëm te individët”.

Artikuj të ngjashëm