Gjatë emisionit NIN me Alaudin Hamiti që po zhvillohet tani në Klan Kosova nga ora 21:00, shumë qytetarë po bëjnë thirrje për të ndihmuar të prekurit nga tërmetet që nga orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme.
Në lidhje direkte edhe reperja shqiptare Tayna telefonoi për të bërë apel që të ndihmohet familja Abazi nga Gjilani e cila humbi dy djem gjatë tërmetit të djeshëm.
Ajo thotë se përkundër donacioneve që ka bërë në fondacionet e hapura për t’u ardhur në ndihmë të prekurve ajo gjithashtu do të dhurojë të ardhurat e koncertit të saj të ardhshëm për familjen Abazi.
Kush ishte familja Abazi?
Tragjik ka qenë edhe fati dy vëllezërve Abazi nga Kosova, të cilët u nisën për në Durrës.
Por ky ishte udhëtimi i fundit për ta, pasi për fatin e keq, dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit u nxorën të pajetë nën rrënojat e një hoteli në Durrës që u shemb plotësisht. Kjo është tragjedia e dytë që ndodh në familjen Abazi, pasi disa vite më parë atyre iu shua edhe një djalë.
Mbijetesën po e siguronin nga punët që kohë pas kohe po i kryenin si mekanikë në Shqipëri. Me këto punë, dy vëllezërit tashmë të ndjerë Shemsedin e Isa Abazi, njëri 32 e tjetri 29 vjeçar po merreshin një kohë të gjatë. Por e hëna doli të jetë fatale për këta dy vëllezër. Ata njëjtë sikur mijëra shqiptarë të tjerë u goditën mbrëmë rreth orës 04:00 pas mesnate nga një tërmet me magnitudë prej 6.4 shkallë të rihterit duke mbetur kështu nën gërmadhat e hotelit ku po qëndronin.
Për fatin e tyre nuk u ditë asgjë për më shumë se 15 orë. I pari pa shenja jete u gjet Isai, 29-vjeçar. Më pas, i vdekur u gjet edhe vëllai i tij, Shemsedini 32-vjeçar.
Përndryshe reperja me prejardhje nga Prizreni u shpreh shumë krenare për iniciativën që ndërmori komuna e Prizrenit në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane në Kosovë dhe GIZ në Kosovë për të hapur Parkun Inovativ në Prizren (ish kampi ushtarak Gjerman) për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Ky park ofron të gjitha kushtet dhe ka mbi 800 shtretër dhe mensa.
Për gjithë ju që dëshironi të jepni ndihmën tuaj mund të dhuroni para në fondacionin online i cili deri më tani ka arritur të mbledhë mbi 1 milion dollar, ridrejtohuni tek linku duke klikuar KËTU. /Prive.al