Sopranoja e njohur, Elbenita Kajtazi, është pritur për një takim gjatë ditës së sotme (e mërkurë) nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Ky lajm është shpërndarë përmes një postimi në Facebook nga Elbenita Kajtazi.
Në të njëjtin postim, ylli, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, ka njoftuar se është dekoruar nga presidentja me titullin ‘Ambasador Nderi i Republikës së Kosovës’.
Postimi i plotë i Kajtazit:
“Atdheu është qendër e rendesës, besoj, për të gjithë mërgimtarët. Forca gravituese e tij është e parezistueshme… Ajo na tërheq drejt Atdheut, edhe kur Ai nuk na ofron të gjitha ato që na duhen; sikur që jo secili prind mund t’i ofrojë fëmijës së vet ato që ka dëshirë…
Ardhja, kësaj herë në Atdhe më mbushi, përveç me dashurinë e pakursyeshme të familjes e të miqve, edhe me një kënaqësi të paprovuar deri më tani.
Ishte kjo ftesa e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe dekorimi me titullin Ambasadore nderi e Republikës së Kosovës me motivacionin: “ Për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore Shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës Shqiptare gjithandej nëpër botë “
Kjo, sa më gëzoi, po aq më ngarkoi me një obligim shtesë, që ta përfaqësoj edhe më mirë atdheun tim dhe veten në skenat botërore të Operës…
Ju falem nderit, Presidente!”.