Kohëve të fundit në veçanti kemi qenë dëshmitarë të shumë fytyrave publike botërore të cilët për evente të rëndësisshme kanë zgjedhur veshje të kreatorëve shqiptarë.
Dizajnerët tonë mbërritën deri tek Beyonce por nuk munguan edhe në evente të tjera si Oscars e Sanremo në të cilat depërtuan Valdrin Sahiti, Kujta dhe Meri e Lia Stublla.
Sigurisht, një gjë e tillë i atribohet ngritjes së nivelit të dizajnerëve tonë të cilët me kreativitet dhe cilësi konkurojnë lirisht me kolegët e tyre në kryeqendrat e modës botërore.
Por, duket se në raste të caktuara një plan B ekziston dhe është shumë efikas. Zgjidhja janë paratë.
Këtë e ka lënë të kuptohet përmes një vargu të postimeve një prej dizajnerëve të njohur shqiptarë, Mr. Rex.
Ai ka zbuluar skemën se si mund të arrihet të vishen VIP-at e huaj përmes agjensive të modës të cilat mundësojnë një gjë të tillë kundrejt pagesave.
Në bisedat e publikuara nga Mr. Rex i cili duket të jetë kontaktuar nga po këto agjensi shihet madje se ekziston edhe një çmimore standarde, varësisht nga lloji i eventit dhe personazhi në fjalë që do ta veshë kreacionin e dizajnerit që paguan.
‘Bota udhëhiqet nga pushteti dhe pushteti fitohet përmes parave. Fustanet e Mr. Rex nuk janë për këdo. Nuk paguajmë derisa të ëndërrojnë për fustanin’ – shprehet mes tjerash dizajneri në postimet e bëra.
Të kenë qenë një thumb i hapur për rivalët? Këtë nuk mund ta themi me siguri! /Prive.al