Serialet janë shumë të popullarizuara në Evropë, Amerikë Latine, Brazil, Portugali, Spanjë por edhe në vendin tonë. Emri ‘telenovelë’ kombinon fjalët ‘tele’ – që ka kuptimin e televizionit, dhe ‘novela’ – një fjalë portugeze që ka kuptimin e novelës.
Telenovelat janë të veçanta për shkakun që një e tillë mund të vazhdojë të luaj për më shumë se një vit. Këto janë ndjekur ‘me të madhe’ edhe në vendin tonë.
E duke qenë kaq të gjata, telenovelat u bënë pjesë e çdo familje shqiptare. Të mëdhenj e të vegjël renditeshin para televizorit, zakonisht në orën 20:00, të ndiqnin episodin e radhës. Nënat e gjyshet tona linin gjithçka anash për atë një orë. Bile edhe baballarët tonë shfaqnin interesim të madh, por që kuriozitetin e mbulonin duke kritikuar familjarët e tyre se shfaqjet e tilla nuk janë fare edukative.
E disa nga serialet që përmenden ende në çdo shtëpi nga më të moshuarit tanë sa herë bile fjala janë:
Kasandra
Kassandra (1992-1993) është një telenovelë nga Venezuela, e shkruar nga Delia Fiallo dhe e drejtuar nga Grazio D’Angelo dhe Olegario Barrera, që tregonte historinë e një vajze cigane të martuar për një familje të pasur. Ajo nuk e kupton, megjithatë, se ajo është mbesa e njeriut në shtëpi. Burri i saj vritet në natën e saj të dasmës dhe ajo më pas fajësohet për vrasjen. Kjo telenovelë është ndjekur me të madhe nga shikuesit shqiptarë.
Esmeralda
Ngjarja zhvillohej rreth një vajze të quajtur Esmeralda, e cila kishte lindur e verbër por që kishte mirësi në zemër dhe që besonte se një ditë do ta takonte dashurinë e jetës së saj, për shkak se ajo besonte se sytë e saj ishin ‘sytë e dashurisë’.
Koha kalon dhe ajo takohet me dashurinë e jetës së saj. Megjithatë, makthi, dëshirat, interesat e familjes, dashuria e rreme e një gruaje dhe prejardhja e saj shkatërrojnë çdo ndjenjë. Esmeralda dhe Jose Armando janë viktimat e këtij ‘deti’ të pakënaqësisë, që pak nga pak, i dërgon ata në errësirën e indiferencës.
Për ty
Maria ishte një grua e re e bukur, trimëreshë dhe fisnike që punonte në fermën ‘La Rosaleda’ të familjes Cortes.
Jeta e saj ishte e lumtur derisa u takua me dashurinë e jetës, ku filluan të përkeqësohen gjërat. Ajo fajësohet për një vdekje dhe më pas burgoset dhe urdhërohet që të vritet, por për fat të mirë shpëton dhe rikthehet në vendin ku gjithçka filloi si një grua tjetër, derisa e ‘zbulojnë’ dhe gjërat përkeqësohen përsëri. Edhe kjo telenovelë ishte ndjekur shumë në trojet tona
Pasionet e fshehta
Pasionet e fshehta ishte një telenovelë kolumbiane që kishte 188 episoda, nga viti 2003 deri më 2004. E shkruar nga Jilio Jimenez, telenovela u prodhua nga RTI Columbia në bashkëpunim me Telemundo.
Kjo telenovelë tregonte historinë e tre vëllezërve të varfër por të bukur që ‘vjedhin’ zemrat e tre bukurosheve të pasura të familjes Elizondo, por që përballen me shumë sfida deri në bashkimin përfundimtar të tyre. Edhe kjo telenovelë u shikua shumë në vendin tonë.
Kloni
Në këtë telenovelë bëhej fjalë për një vajzë të re muslimane të quajtur Zhade që jetonte në Brazil, por pasi i vdes nëna ajo shkon në Maroko ku jeton daja i saj Aliu.
Problemi ishte se Zhadja kishte jetuar në një vend me një kulturë krejtësisht ndryshe nga ajo në Maroko. Dhe kështu, sapo të arrijë në Maroko, ajo duhet të mësojë të gjitha traditat dhe zakonet, për t’iu përshtatur jetës së re – duke u përballur kështu me shumë ndëshkime për shkak të veprimeve të saj në kundërshtim me fenë.
Ajo dashurohet me një djalë nga Brazili të quajtur Lucas, që ishte binjak me vëllain e tij Diogo. Ngjarja komplikohet më pas edhe më shumë kur vëllai i Lucasit vdes në një aksident me helikopter në Brazil, ku doktori i familjes e merr përsipër klonimin e tij dhe e arrin atë.
Edhe kjo telenovelë la një shije të veçantë për shikuesit shqiptar, të cilët e ndoqën atë me vëmendje të madhe – dhe që mund të themi se ishte telenovela më e pëlqyer.