Ledri Vula dhe Don Xhoni, të dielën treguan talentin e tyre edhe në sportet elektronike.
Në “Counter Strike”, dy reperët zhvilluan miqësoren që i parapriu finales se madhe të “Gjirafa Masters League”.
Megjithatë, yjet e së dielës mbrëma ishin lojtarët e ekipeve “Blink” dhe “Eagles”.
Të parët triumfuan në fund 3 me 0, duke fituar njëkohësisht më së shumti nga 25 mijë euro që morën më të dalluarit e garës.
Labeat Fejza, që ishte një nga kontribuesit e kësaj lige, tregoi se sezoni i dytë do të jetë edhe më interesant për shkak të konkurrencës edhe nga shtetet e huaja.
Megjithatë, përballjen me konkurrentët nga vendet e huaja, nuk po e sheh problem “Lojtari më i vlefshëm” i këtij sezoni, Genc Kolgeci.
Kolgeci dhe bashkëlojtarët e tij, arritën deri tek trofeu pas 15 javë gare ndërmjet 16-të ekipeve.
Këto të fundit, për të arritur në mesin e më të mirave, kaluan kualifikimet ku morën pjesë 250 ekipe.