Një studim i ri ka zbuluar se burrat priren të përjetojnë më shumë dhimbje emocionale sesa gratë, kur marrëdhënia e tyre nis të marrë një kthesë për keq. Një ekip ndërkombëtar psikologësh i udhëhequr nga studiues të Universitetit të Lankasterit, kreu analizën e parë të “të dhënave të mëdha” mbi problemet në marrëdhëniet në çift.
“Shumica e asaj që dimë mbi problemet në marrëdhëniet romantike, vjen nga studimet e njerëzve që janë pjesë e terapisë në çift, e cila përfshin një nëngrup mjaft specifik njerëzish. Ne donim të kuptonim jo vetëm se cilat probleme përjetohen më shpesh nga publiku i gjerë, por kush i përjeton ato më shumë”- tha Sharlot Entuistëll, autorja kryesore e studimit
Duke përdorur metoda të përpunimit të gjuhës, ekipi analizoi karakteristikat demografike dhe psikologjike të mbi 184.000 njerëzve që shkruan mbi problemet e tyre në një forum anonim në internet. Më pas hulumtuesit më pas ishin në gjendje të përcaktonin statistikisht temat më të zakonshme që dolën në çdo postim, duke krijuar një “hartë” të problemeve më të zakonshme të marrëdhënieve në çift.
Rezultatet treguan se problemet e komunikimit ishin problemi nr.1 më i shpeshtë i përmendur, me gati 1 në 5 njerëz që nxorën në pah vështirësitë në diskutimin e problemeve me partnerin apo partneren. Ndërkohë 1 në 8 prej tyre përmendi çështjet e besimit në marrëdhëniet e tyre.
Nga të dhënat dolën gjithashtu modele të papritura më parë, duke përfshirë dallimet kryesore gjinore në të cilat u përdorën më shumë temat. “Teksa po kryenim studimin, kuptuam se kjo ishte një mundësi e rëndësishme për të testuar shumë ide të përbashkëta rreth dallimeve gjinore në marrëdhëniet. Për shembull, a janë burrat më pak të investuar emocionalisht në marrëdhënie sesa gratë, apo kjo ndodh pasi burrat stigmatizohen nga ndarja e ndjenjave të tyre?”- thotë dr.Rajan Boid, studiuesi kryesor në këtë studim.
Analizat zbuluan se tema më e zakonshme e përmendur nga njerëzit që flisnin për problemet e marrëdhënieve të tyre, ishte rreth dhimbjes emocionale të shkaktuar nga problemet, sesa vetë problemet. Tema më e zakonshme ishte për “dhimbjen e zemrës”, dhe përbëhej nga fjalë si keqardhje, ndarje, qarje dhe zemër–thyerje.
Ndryshe nga pritshmëritë e tyre, gjetjet e ekipit treguan se burrat diskutojnë më shumë për thyerjen e zemrës sesa gratë. Ato sugjerojnë se stereotipi i burrave që investohen më pak emocionalisht në marrëdhënie sesa gratë, mund të mos jetë i saktë.Entuistëll shprehet:”Sidomos fakti që tema e dhimbjes shpirtërore diskutohej më shpesh nga burrat, tregon se si burrat janë të paktën po aq të prekur emocionalisht nga problemet e marrëdhënieve sa gratë”. Përveç kësaj, studiuesit zbuluan se burrat kishin më shumë gjasa të kërkonin ndihmë në marrëdhënie sesa gratë në mjediset online.
Boid vë në dukje se “tradicionalisht, gratë kanë më shumë gjasa të identifikojnë problemet nëmarrëdhënie sesa burrat”. Autorët e studimit thonë se gjetjet e këtij studimi mund të ndihmojnë gjithashtu në de–stigmatizimin e kërkimit të ndihmës nga burrat, duke treguar se sa të zakonshme janë problemet në marrëdhëniet në çift, dhe duke treguar se edhe burrat kanë po aq gjasa sa gratë të kërkojnë ndihmën e psikologut.