Atilla Kardesh, ish-burri i ish-missit Drenusha Latifi është duke u intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi
ka shkelur një nga nenet e vendimit që Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë kundrejt tij, që të mos i
afrohet ish-gruas së tij dhe të mos komunikojë në asnjë mënyrë me të, duke publikuar gjatë ditës së
sotme një bisedë telefonike mes tyre.
Kështu ka konfirmuar për Paparacin Saranda Keqekolla, avokatja e viktimës Drenusha Latifi, e cila tha që
për momentin janë në stacion policor bashkë me Drenushën dhe fëmijët e saj, duke pritur të përfundojë
intervistimi i të akuzuarit, Atilla Kardesh.
Gjatë një bisede telefonike, avokatja Keqekolla është shprehur se i akuzuari ka shkelur dy vendime, njëri
prej tyre ka qenë me datën 12 shkurt kur është arrestuar ku gjykata ia ka ndaluar që t’i afrohet viktimës
në çfarëdo mënyrë, por ai nuk e ka respektuar duke bërë disa postime në lidhje me të dhe sot e ka
përsëritur.
“Gjykata e ka caktuar masën e mbrojtjes ndaj personit, është cekur që personi nuk guxon me komuniku
drejtpërdrejtë, tërthorazi, nuk guxon me publiku përmes rrjeteve sociale gjëra që kanë të bëjnë me të
dëmtuarën edhe që i shkaktojnë shqetësim, kjo është shkelje shumë e rëndë, nëse nuk shkon në
paraburgim neve nuk na mbet gjë tjetër veç me e marrë me vete viktimën”, është shprehur avokatja.
Tutje, Keqekolla është shprehur se pasi sot ka publikuar videon e radhës, ku dëgjohet një bisedë
telefonike mes Kardesh dhe ish-gruas së tij, Drenushës, policia e ka ftuar për intervistim por ai ka gënjyer duke thënë se është jashtë kufinjve të Kosovës, kurse në anën tjetër ka shkuar në Qendrën për Punë Sociale për të marrë fëmijët, pasi gjykata ka vendosur që komunikimin me fëmijët ta bëjë përmes qendrës.
“Policia e kanë marrë vesh këtë fakt por nuk e di çka po ndodh, ne jemi duke prit në stacion bashkë me
Drenushën e dy fëmijët, Drenusha ka ardh prej mëngjesit këtu, çdo ditë po i duhet me ardh bashkë me
fëmijët”, ka shtuar avokatja Keqekolla për Paparacin.
Më tej, ajo tha se Drenusha nuk po pranon që t’ia dorëzojë fëmijët sipas vendimit të Gjykatës, duke qenë
se fëmijët kanë pasaporta suedeze, pasi po frikësohet që do t’i marrë dhe do të largohet.
“Drenusha s’po pranon me ja jep fëmijët se po tutet mos po ia dërgon jashtë pasi i kanë pasaportat e
Suedisë, tu e dit që i ka gënjy edhe policinë”, ka shtuar ajo.
Avoktatja tha se presin që ndaj tij të zëvendësohet masa e mbrojtjes me paraburgim, duke qenë se e ka
shkelur vendimin e gjykatës dy herë me radhë, dhe se shpresojnë që institucionet të marrin vendime më
të ashpra, para se të vijë tek vrasja e më pas të reagojnë e gjithë Kosova.