Fillimi i vitit shkollor për shumë fëmijë është një kohë e lumtur po për disa fsheh frikëra, sepse u kujton atyre një ambient ku ngacmohen vazhdimisht nga klasorët e tjerë.
Prindërit janë ata të parët që u japin këshilla të vegjëlve të tyre të cilët mund të jenë viktima të bullizmit ose vetë bullistë.
Edhe grimeri më i famshëm shqiptar, që punon ngushtë me familjen Kardashain/Jenner, Mario Dedivanovic ka një këshillë për të ndarë.
Ai ka shpërndarë në Instagram një postim:
“Kërkesë e veçantë për të gjithë ju që riktheheni në shkolla në ditët në vazhdim: nëse shihni dikë që ka vështirësi të bëjë miq ose po e tallin sepse nuk ka aq shumë shokë ose sepse është i turpshëm ose jo dhe aq i bukur ose nuk ka veshur rrobat më “in”- ju lutem i dilni në krah. Përshëndeteni ose të paktën i buzëqeshni nëpër korridore. Asnjëherë nuk mund ta dini se çfarë ai person mund të jetë duke kaluar jashtë shkollës. Mirësjellja jote mund të bëjë një diferencë të madhe në jetën e dikujt.”
Dhe krah këtij mesazhi kaq të menduar në lidhje me bullizmin, Mario ka rrëfyer dhe një histori të tijën:
“Kur isha në shkollë fillore (klasa e dytë apo e tretë) kishte disa fëmijë që tallnin një vajzë të vogël nga Kina që nuk fliste anglisht dhe i hidhnin gjëra gjatë drekës ndërkohë që ajo ulej vetëm. Ajo thjesht ulte kokën. Fillova të ulesha me të gjatë drekës dhe të flisja dhe ata ndaluan së hedhuri gjëra. Në fund të ditës, dilja nga shkolla me të. Madje mbaj mend që i lidhja flokët ndonjëherë sepse i binin në sy. Në ditën e fundit të shkollës, mamaja ose gjyshja e saj më dha një lodër të vogël. Ajo nuk fliste anglisht, por nuk ishte nevoja. Mirësjellja është një gjuhë universale.”