“Gjergj Kastrioti” bën bashkë Shqipërinë e Kosovën në Teatrin e Operas

By

Teatri i Operës kumboi mbrëmë nga daullet e luftës, si parathënie e veprës shqiptare “Skënderbeu, kryezot i Arbrit”. Kompozitori Vasil Tole rrëfen operën e krijuar mbi tekstin e Nolit, ndërsa flasin dy këngëtarët në rolin e Skënderbeut dhe dirigjentët që bënë bashkë me zërat e tyre Shqipërinë e Kosovën.

Kompozitori i veprës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kryezot i Arbrit”, Tole tha se ishte befasi për të që vepra e tij u mirëprit.

“Ka një publik tradicional në Shqipëri të teatrit të Operas dhe Baletit por gjithashtu për shkak të historikut të pas viteve ’90 ku krijimtaria shqiptare ka zënë pak vend, nuk mund të them që ka pasur një publik shumë të afërt me krijimtarinë muzikore shqiptare. Kështu që për mua ishte një surprizë sot që vepra u mirëprit”, shprehet Tole për “Report Tv”.

“Daullet e Luftës” e silueta bust e heroit, paralajmërojnë fillimin e premierës botërore të operës solemne koncertale “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kryezot i Arbrit”, shkruar mbi tekstin e Fan Nolit e kompozuar nga Vasil Tole.

Në dy akte e katër arie që prekin jetën e heroit nga ëndrra e Shën Gjergjit, te Malli për Atdhe, “Lirinë s’jua solla unë” e thirrja për betejë, roli i Skënderbeut i besohet dy solistëve të rinj.

“Ishte emocion i veçantë! Ne ishim dy artistët e parë që e vumë në skenë këtë operë, ndaj ishte kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Besoj do t’i mbetet repertorit të Operas dhe pse jo të vendosej edhe në skenat e Evropës do të ishte kënaqësi e madhe”, thotë tenori Gerald Murrja.

“U ndjeva mirë me një përgjegjësi të madhe mbi supe të cilën u mundova ta justifikoj gjatë gjithë kohës me një punë intensive në teatër! Uroj t’ia kemi dhuruar publikut tonë këtë ‘shpirtin’ tonë në zë!”, thotë baritoni Artur Vera.

Orkestra Simfonike e Teatrit u dirigjua nga Sieva Borzak, ndërsa dy koncertmaestrot ishin Etrita Ibrahimi dhe Thanas Paskali. Mes solistëve nuk munguan as zërat femëror me sopranon Eva Golemi dhe mëzo-sopranon Amelda Papa.

Në skenë u bashkua kori i Teatrit dhe i Filarmonisë së Kosovës, ku me elementët meshtarë të kënduar prej tyre kompozitori i mëshon përjetësisë së heroit.

“Është mjaft e rëndësishme që premiera e kësaj vepre të jetë bashkë me Kosovën, sepse gjithmonë pretendojmë të jemi një, kështu që të paktën, të jemi një në art”, shprehet Hajrullah Syla, dirigjent i Filarmonisë së Kosovës.

“Një vepër mjaft impenjative, e vështirë, por me sonoritete të reja. Një vepër shumë e bukur por është bërë akoma më e bukur kur janë bashkuar dy koret bashkë”, thotë Dritan Lumshi, dirigjent i korit të TKOB.

Rikthimi i Operës në gjuhën mëmë, ku mungesa e veprave shqiptare ka qenë ‘thembra e Akilit’ ka entuziazmuar publikun.

“Si duket Skënderbeu i fiton të gjitha betejat”, shprehet Tole.

Artikuj të ngjashëm