Françeska Jaçe dënohet me burg

By
Ish-lojtarja e “Big Brother” është deklaruar fajtore nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, duke u dënuar me një muaj burg, për veprën penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, të parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.
“Panorama Plus” shkruan sot se gjyqtari i çështjes, Artan Gjermeni, mori në shqyrtim gjatë seancës së datës 21 tetor gjykimin e shqyrtuar ndaj të pandehurës Françeska Jaçe. Nga shqyrtimi i çështjes rezultoi e provuar se më datë 18.04.2015, në vendin e quajtur rruga “Fushë Prezë”,
Françeska Jaçe duke drejtuar automjetin e saj të markës “Volkswagen”, me targë AA838 LC, sipas drejtimit Fushë Krujë–Vorë, ka tentuar të bëjë kthim majtas për të hyrë te karburant “Agipi”. Nga kjo lëvizje e gabuar është përplasur me automjetin fuoristradë të markës “Range Rover” me targa AA 656 Gl, që drejtohej nga shtetasi A.K. Si pasojë e kësaj, automjeti me targa AA 656Gl është përplasur me automjetin tip veturë të markës “Audi A4” me targa MHO 2411, që drejtohej nga shtetasi I.LL, i cili ka qenë në korsinë e tij të djathtë sipas drejtimit Fushë- Krujë- Vorë dhe pas mjetit AA838LC, që drejtohej nga Françeska Jaçe.
Nga ky aksident automobilistik kishte ardhur dhe plagosja e katër shtetasve, të cilët u dërguan menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Nga akti i ekspertimit autoteknik, datë 18 prill, 2015, i Sektorit të Policisë Shkencore, shkaku kryesor i ndodhjes së aksidentit ishte shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e Françeskës. Në këto rrethana, e ndodhur përpara këtyre parashtrimeve, përcaktimit të faktit dhe provave në gjykim, Gjykata ka çmuar se veprimet e të pandehurës, Françeska Jaçe, plotësojnë të gjitha elementet që kërkon legjislacioni penal shqiptar për t’i cilësuar këto veprime si elemente të figurës së veprës penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Në zbatim të nenit 406 të Kodit Penal, të pandehurës 21-vjeçare i ulet 1/ 3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 20 ditë burgim, si dhe më pas pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me detyrimin që Jaçe të përmbushë një punë me interes publik. Gjatë periudhës që Françeska ka qenë në gjykim, ajo është shfaqur në ekran si moderatore e spektaklit të bukurisë “Miss Universe Albania” në Tiranë.

Artikuj të ngjashëm