Artistja kosovare Eliza Hoxha është ndaluar nga policia kufitare në hyrje të Serbisë në kufirin në Merdare, të cilët kontrolluan materialet të cilat ishte duke bartur.
Hoxha do të jetë pjesëmarrëse në festivalin e përbashkët që mbahet në Beograd “Mirdita, Dobar Dan”.
Këto skena i ka paraqitur fotografi Arben Llapashtica, i cili postoi fotografitë ku shihen policët duke kontrolluar materialet e Elizës.
“Arti nuk njeh kufi? Ne k’to momente cfar malltretimi po i behet Eliza Hoxha” ka shkruar Llapashtica në Facebook.
Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili i quajti këto skena të turpshme.
“Pamje të turpshme në kufirin me Serbinë, ku autoritetet e atjeshme po keqtrajtojnë artistët kosovarë që po udhëtonin për në Beograd. U bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që t’i ndalojnë këto veprime, përndryshe do të pasojë reciprociteti. Si mund të flasim për normalizim kur Serbia bllokon artistët për të marrë pjesë në ekspozita”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Kufitarët serbë kanë kontrolluar në detaje autobusin e ekipit nga Kosova të cilët pritet të marrin pjesë në festivalin “Mirdita, Dobar Dan”.