Çfarë po ndodh me personazhin e vërtetë të “Inventing Ana”?

By

Trashëgimtarja e rreme Anna “Delvey” Sorokin, e cila u burgos në vitin 2019 për mashtrim të qindra mijëra dollarëve nga hotelet, bankat dhe miqtë, dhe që frymëzoi një seri hit në Netflix, do të ekstradohet në Gjermani të hënën, shkruajnë mediat amerikane.

Shtetasja 31-vjeçare ruso-gjermane arriti në vitet 2016 dhe 2017 të mashtrojë elitat e Nju Jorkut duke u paraqitur si një trashëgimtare e pasur, kur në fakt ajo ishte vajza e një shofer kamioni me origjinë nga periferitë e Moskës.

Sorokin, e cila i kreu mashtrimet e saj nën emrin e supozuar “Anna Delvey”, do të dërgohej në një fluturim për në Frankfurt më vonë të hënën pasi u lirua nga një qendër paraburgimi në shtetin e Nju Jorkut, tha tabloidi New York Post duke cituar burime të njohura me këtë çështje.

Sorokin u dënua nga katër deri në 12 vjet burg, por u lirua në shkurt 2021 për sjellje të mirë, vetëm për t’u arrestuar përsëri muajin tjetër për tejkalim të vizës së saj. Ajo u mbajt në një strukturë nga Agjencia e Zbatimit të Emigracionit dhe Doganave, ose ICE.

E aftë për të thurur gënjeshtra të shkathëta me mjeshtëri të jashtëzakonshme, e reja pozoi si një trashëgimtare gjermane me një pasuri prej 60 milionë dollarësh, duke e lejuar atë të marrë dhjetëra mijëra dollarë kredi nga disa banka.

Midis nëntorit 2016 dhe gushtit 2017, ajo udhëtoi falas me avion privat, jetoi me kredi në hotelet e Manhattanit, pa paguar kurrë asgjë, sipas departamentit të drejtësisë të Nju Jorkut, i cili vlerësoi se mashtrimet e saj kapnin vlerën e rreth 275,000 dollarë.

Vajza e një shoferi kamioni rus dhe një tregtareje që emigroi në Gjermani në vitin 2007, Sorokin, e cila mbërriti në Nju Jork në vitin 2013, madje ishte përpjekur të merrte një kredi prej 22 milionë dollarësh për të nisur një klub në Manhatan. /Prive.al

Artikuj të ngjashëm