Adriana Matoshi merr fjalën në kuvend: “Filmi duhet të shpallet interes shtetëror”

By

Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës fjalën e ka marrë deputetja dhe aktorja Adriana Matoshi, e cila ka folur për kinematografinë e Kosovës.

Në fjalimin e saj ajo ka kërkuar që kinematografia të përkrahet në nivel vendi, duke plotësuar ligjin për kinematografi, të cilat mundësojnë që Kosova të përfitojë fonde evropiane të filmit.

Sipas aktores, “Viteve të fundit vajza dhe djemtë e kinematografisë, aktorë dhe regjisorë nga Kosova kanë shënuar rritje të suksesit në arenën ndërkombëtare të filmit. Edhe pse me buxhet të vogël, falë talentëve të shumtë, kemi filma në të gjitha festivalet më të mëdha të botës si këtë vit në: Sundance, Rotterdam e Kanes”.

“Përfaqësimi në Kanes me dy filma nga një shtet i vogël si Kosova, dhe në konkurrencë me shtetet nga e gjithë bota, është një e arritur e rrallë, sepse ata po shkëlqejnë me filma të shkurtë, të gjatë dhe me dokumentarë të Kosovës dhe kanë rritur praninë e tyre meritore në festivale të rëndësishme evropiane dhe botërore të filmit”.

Matoshi u shpreh se ne duhet të sensibilizohemi, dhe të tregojmë vëmendje në krijimin e kushteve dhe ofrimin e përkrahjes për ushtrimin dhe zhvillimin e veprimtarisë së tyre, çoftë edhe vetëm duke ia njohur kontributin e tyre të deritashëm.

Në fund aktorja dhe deputetja Adriana Matoshi ka kërkuar që të bëhet thirrje për një seancë të jashtëzakonshme për kinematografi. /Prive.al

Artikuj të ngjashëm