Një gjykatë revolucionare iraniane ka dënuar me vdekje reperin e njohur iranian Toomaj Salehi për akuza të lidhura me trazirat e Iranit 2022-2023.
Salehi në këngët e tij mbështeti protesta muajsh në Iran në vitin 2022, të shkaktuara nga vdekja në paraburgimin policor të Mahsa Amini, një gruaje kurde iraniane 22-vjeçare e arrestuar për dyshimin se mbante një hixhab “të pahijshëm”.
Salehi u arrestua fillimisht në tetor të vitit 2022 pasi bëri deklarata publike në mbështetje të protestave mbarëkombëtare.
Ai u dënua në vitin 2023 me gjashtë vjet e tre muaj burg, por iu shmang dënimit me vdekje për shkak të një vendimi të Gjykatës së Lartë.
“Dega e parë e Gjykatës Revolucionare të (qytetit qendror) të Isfahanit, në një veprim të paprecedentë, nuk zbatoi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e dënoi Salehi me dënimin më të ashpër”, tha avokati i tij Amir Raisian për Sharq.
Gjyqësori iranian nuk e ka konfirmuar ende dënimin. Salehi ka 20 ditë për të apeluar vendimin.
“Ne patjetër do ta apelojmë këtë vendim”, tha avokati i tij.
Zyra e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Iranin e kritikoi dënimin, duke e quajtur atë në një deklaratë të postuar në X si një shembull “të abuzimit brutal të regjimit ndaj qytetarëve të vet, shpërfilljes së të drejtave të njeriut dhe frikës nga ndryshimi demokratik që populli iranian kërkon”.