Në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë solistja e parë e trupës së baletit shqiptar, Ganimet Vendresha.
Mbesa e së ndjerës, Ajola Xoxa përmes një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi vdekjen e Vandreshës në mbrëmjen e djeshme.
“Gjyshja ime e mirë, Ganimet Vendresha, u nda nga jeta mbrëmë, e qetë dhe në paqe, siç e jetoi të gjithë jetën e saj, rrethuar nga njerëzit e dashur, duke lënë pas tek kushdo kujtimin e njeriu te bukur brenda dhe jashtë, dhe tek ne një dhimbje pambarim”, u shpreh Xoxa.
Homazhet për Vendreshën do të kryhen të premten paradite në Teatrin e Operas dhe Baletit.
“Ajo i dha aq shumë Shqipërisë së saj dhe kujtdo pati fatin ta kishte në jetën e vet. Homazhet do të kryhen nesër, 30 shtator, nga ora 10:00 deri në 12:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe varrimi në orën 13:00 në varrezat e Tufinës.”, përfundoi ajo.
Ganimet Vendresha në vitin 1949, mbaroi shkollën artistike Jordan Misja në Tiranë, në klasën e pianos dhe më pas filloi të punonte në Ansamblin e Këngës dhe Valleve në Filarmoninë Shqiptare. Më 1 maj të vitit 1950, ajo bëri debutimin e saj si soliste, duke kërcyer në skenën e Filarmonisë, në një koncert të rastit.
Në nëntor të vitit 1950, ajo filloi të studionte në Moskë, ku studioi në shkollën e vallëzimit klasik në Teatrin Bolshoi. Së bashku me ekipin Bolshoi ajo luajti në turne në 9 Republika të ish-Bashkimit Sovjetik.
Ajo u kthye në Tiranë në gusht të vitit 1956 dhe u angazhua si soliste në Teatrin e Operës dhe Baletit. Deri në vitin 1981 ajo ishte solistja e parë e kësaj skene, vallëzoi në të gjitha premierat e përgatitura nga ekipi i Teatrit.
Ndërkaq kujtojmë se në vitin 1963 ajo u shfaq në rolin e Hajrijes në baletin e parë në Shqipëri, Halili dhe Hajria.