Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vdekjen e regjisores, Burbuqe Berisha.
Ajo me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se vdekja e Berishës është humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës.
“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të regjisores Burbuqe Berisha. Vdekja e hershme e Buqes, sikur njihet ndër qarqet artistike, është humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës. Ajo përfaqëson një brez krijuesish, të cilët u formuan në kohë rezistence dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas saj, duke e shndërruar artin në rezistencë e dëshmi”.
“Puna e saj prej regjisoreje në Teatrin Kombëtar, në teatrin “Faruk Begolli”, por edhe në teatro të tjera, mbetet vulë e fuqishme në zhvillimin e teatrit, por edhe të jetës kulturore përgjithësisht. Krahas punës në teatër, Buqja ka dhënë kontribut të theksuar në edukimin e brezave të rinj, duke qenë pedagoge e respektuar. Ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”,ka thënë Osmani.