Djemtë e biznesmenëve të njohur Irfan Hysenbelliu e TOm Doshit janë konfliktuar në kryeqytet me njëri-tjetrin në orët e para të mëngjesit të datës 16 korrik 2020.
Në dosjen policore të siguruar nga Hashtag.al për këtë ngjarje, në konflikt janë përfshirë, djali i Irfan Hysenbelliut, Fatmir Hysenbelliu dhe shoferi i tij Gazmir Bushaj, dy djemtë e deputetit Tom Doshi, James dhe Marcos Doshi, djemtë e Ndriçim Babasit, Even dhe Rois Babasi, Ervis Bajraktari dhe Ritvan Toskaj.
Nga kjo ngjarje kanë mbetur të plagosur shtetasi Rois Babasi i cili madje është arrestuar në një spital privat si edhe Gazmir Bushaj (shoferi i Fatmir Hysenbelliut).
Në dosjen e policisë thuhet se konflikti ka ndodhur mes Fatmir Hysenbelliut dhe djemve të Tom Doshit dhe Ndriçim Babasit si dhe Ervis Bajraktarit në dalje të një lokali në zonën e ish-bllokut.
Sipas dëshmisë së shtetasit Gazmir Bushaj rreth orës 00:30 pasi ai së bashku me Fatmir Hysenbelliun kanë dalë nga lokali në ish-bllok dhe mbrapa tyre kanë ardhur disa persona mes të cilëve ai i identifikon si Rois Babasi që sipas tij mbante në dorë një pistoletë në dukje Berrete. Rois Babasi sipas tij ishte në shoqërinë e një prej djemve të Tom Doshit dhe truprojës së tij. Ai thotë se kanë vrapuar për të shmangur konkflitin me këta persona që sipas tij ishin të armatosur.
Ai vazhdon dëshminë duke thënë se Rois Babasi ka qëlluar në drejtim të Fatmir Hysnenbelliut dhe më pas duke vrapuar Bushaj i ka dalë përpara për ta mbrojtur atë dhe ka mbetur i plagosur ndërsa personat e tjerë më pas janë larguar.
Bushaj thotë se Hysenbelliu ka pasur një konflikt me djemtë e Ndriçim Babasit dhe Tom Doshit. Këtë dëshmi e pranon edhe vetë Fatmir Hysenbelliu i cili thotë se para 1 viti e gjysmë është konfliktuar me James Doshi dhe Rois Babasin dhe Vis Bajraktarin ku ky i fundit e ka goditur me gotë në kokë. Më tej ai thotë e konflikti ishte mbyllur dhe palët ishin sqaruar dhe më pas nuk ka pasur asnjë konflikt me këta persona.
Konfliktin e vjetër mes Hysenbelliut dhe këtyre shtetasve e pranon edhe truproja e Hysenbelliu group Shahin Buzali i cili sqaron se në lokalin ku ishte së bashku me Fatmirin dhe Bushajn ishin edhe shtetasit Rois Babasi, Pëllumb Nika dhe Ridvan Toska të cilët ishin të armatosur me pistoleta. Ai vazhdon më tej dëmishnë e tij se ka qenë shtetasi Rois Babasi i cili ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka dashur të qëllojë në drejtim të Fatmir Hysenbelliut por i ka dalë përpara shoku i tyre Gazmir Bushaj i cili u qëllua në këmbë ndërsa ai shton se Rois Babasi më pas është larguar me vrap.
Në dëshminë e tij Rois Babasi i cili nuk ka pranuar të marrë avokat thotë se nuk ka mbajtur asnjëherë armë dhe se nuk është pjesë e ngjarjes, Ai gjithashtu ka deklaruar se është i plagosur për vete në krahun e majtë me një send që nuk e dinte çfarë. Më tej ai shton se ka mësuar se shtetasi që e ka goditur quhet Gaz Bushi për të cilin thotë se nuk e njeh.
Si provë nga vendngjarja në rrugën “Ibrahim Rrugova” policia ka gjetur një gëzhojë boshe e goditur në kapsolle me iniciale të stampuara “WMA14”. Gëzhoja u gjet në një kosh mbeturinash pranë vendit të ngjarjes.
Për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim shtetasit James dhe Marcos Doshi, Ritvan Toskaj, Even Babasi, Pëllumb Nika dhe Ervis Bajraktari si të përfshirë në ngjarje.
Kurse ndaj shtetasit Rois Babasi i cili është i arrestuar është referuar në polici dosja për veprat penale “prodhim i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “plagosje e rëndë me dashje” kurse shtetasi Gazmir Bushaj është referuar për veprën “plagosje e lehtë me dashje”.
Lidhur me ngjarjen në njoftimin saj policia nuk dha detaje të plota apo të zbulonte emrat e plotë të personave të përfshirë në të edhe pse ata nuk ishin minorenë.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 00:30, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi G. B., 39 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, organizuan punën duke ngritur pika kontrolli, krehje të zonës, si dhe u ngrit grupi hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar të plagosjes me armë të 39-vjeçarit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 22 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes”-shkruante ndër të tjera policia.