Vazhdojnë largimet nga Top Media, ‘ecën’ edhe prezantuesja e njohur

By

Top Media ka hyrë në një periudhë të trazuar, pas afro tre viteve relativisht të qeta kur lajmet për largime ishin më të pakta në numër.

U nis me largimin e Drejtorit Ben Blushi në dhjetor dhe po vazhdon tutje.

Javën e kaluar, me shumë zhurmë u zyrtarizua mbyllja e “Top Story” në formatin ekzistues. Në një rast të paprecedent, hapësira e lajmeve qendrore të Top Channel u vu në dispozicion të akuzave për gjobvënie ndaj drejtuesit të deritanishëm të formatit investigativ, Endrit Habilaj.

Të premten, u konfirmua edhe largimi i Eni Vasilit dhe emisionit të saj qendror politik “Open”, pas kthimit të Sokol Ballës. Por, largimet e zëvendësimet nuk mbarojnë me kaq!

Në një situatë që duket me efekt domino, rrugët me televizionin i ka ndarë edhe një prej prezantueseve të reja premtuese, Sidorela Gjoni.

Gjoni që dikur punonte në DigitAlb, spikati shpejt si gazetare terreni në lidhjet direkte për artikulimin dhe aftësitë e saj gjurmuese të lajmit veçanërisht gjatë tërmetit dhe pandemisë.

Si e tillë, ajo u shndërrua në fytyrën kryesore të Top News duke drejtuar disa emisione, përfshirë programin e përditshëm maratonë “Breaking” nga prilli i vitit të kaluar. E një javë pa i bërë një vit, edhe Sidorela është larguar.

Breaking | Njihuni me ngjarjet kryesore të ditës nga vendi, rajoni dhe bota | Top News - Top Channel

Prezantimi i saj i fundit i “Breaking” ka qenë të hënën e kaluar, teksa sot “Breaking” ka nisur me prezantuese të re, Elisa Gjeranin dhe termin të ri të reduktuar, nga ora 09:00 deri në 12:00.

Për faktin se një javë programi mbeti pa drejtim, largimi duket të ketë qenë i befasishëm dhe me gjasë, me tension.

Largimet e njëpasnjëshme nga ‘garda e re’ gjatë kohës së fuqizimit dhe zgjerimit të programacionit të Top Media kanë krijuar me të drejtë pyetjen: kush e ka radhën? /Prive.al

Artikuj të ngjashëm