Sonte nis BBVK! Shtëpia cilësohet si një nga më të bukurat e viteve të fundit

By

Sonte me fillim nga ora 21, do të nisë spektakli gjigant në vend Big Brother VIP Kosova.

Moderatori i këtij formati Alaudin Hamiti, ka ndarë disa detaje të rëndësishme për këtë spektakël, ndër to edhe atë që kjo shtëpi u cilësua si ndër më të bukurat e Big Brother viteve të fundit, shkruan Klan Kosova.

“Një shtëpi moderne me stil kosovar, shqiptar, që besoj se do të ju pëlqejë edhe gjithë shikuesve, holandezët e Beni J e kanë cilësuar këtë shtëpi si njërën nga më të bukurat të Big Brother  këto viteve të fundit që është realizuar”, ka thënë Hamiti në Info Magazinë, njofton Klankosova.tv

Hamiti theksoi se çmimi 200 mijë euro, që do të jepet për fituesin e këtij shou, është më i madhi që është dhënë ndonjëherë në rajon, duke shtuar se shumica e banorëve nuk kanë ditur paraprakisht për çmimin.

“Kemi pasur dritën e gjelbër qysh në qershor për të folur me fytyrat publike, shumica e kanë pranuar menjëherë pa e ditur çmimin se sa ka qenë. Çmim i tillë nuk është dhënë në asnjë Big Brother më parë në rajon”, ka shtuar ai.

Sipas Hamitit, për realizimin e këtij projekti është bërë një punë e jashtëzakonshme nga Klan Kosova e Art Motion.

“Është një punë e papërshkrueshme, e madhe, gjigante, kolosale që është bërë prej Klan Kosovës dhe Art Motion. Mbi 100 veta staf është si me e hapë një televizion të ri për përgatitjen e Big Brother Kosova, që vjen për herë të parë nën licencën e Beni J. Gjithçka ka filluar prej zeros, ky objekt ka qenë i boshatisur edhe pastaj e kemi filluar ndërtimin e shtëpisë, gjithnjë nën udhëheqjen e Beni J, pasi është dashur t’u përmbahemi rregullave të tyre. E bukura e saj është se edhe shtëpinë edhe studion e kemi në një objekt, që do ta shihni sot është fantastike, e kemi edhe skenografinë e live shout që do ta mbajmë çdo të hënë e të premte në orën 21 në Klan Kosova”, ka theksuar ai.

Ai foli edhe për banorët, të cilët i cilësoi si me karaktere fantastike.

“Kemi një kast shumë diversë, një kast që do të zgjojë polemika, kërshëri te shikuesit dhe do të lidhen me ta. Kemi karaktere fantastike. Kanë histori fantastike që do t’i shpalosin”, ka vazhduar ai.

Hamiti tha se shikuesit mund ta ndjekin live spektaklin në studio të hënave e të premteve, duke u lajmëruar në Klan Kosova që t’i rezervojnë vendet.

Artikuj të ngjashëm