Teatri Kombëtar i Kosovës është bërë me katër aktorë të rinj në ansamblin rezident.
Edlir Gashi, Qëndresë Jashari, Valmir Krasniqi e Donikë Ahmeti janë katërshja triumfuese që u bënë pjesë e institucionit më të lartë teatror mes një konkurrence prej 31 aktorësh.
Procesi, por edhe përzgjedhja është parë si skandal jo veç prej konkurrenteve, por edhe nga aktorë të rëndësishëm të skenës teatrore. Kurse institucioni mburret për proces të pastër e brenda mundësive që krijoi legjislacioni në fuqi.
Gjatë fundjavës që lamë pas, saktësisht më 13 dhe 14 dhjetor, juria vlerësuese ka mbajtur në audicion nga 30 minuta secilin kandidat. Tre prej tyre, Arta Muçaj, Nëntor Fetiu e Rabije Kryeziu kanë munguar.
Statuti i TKK-së bashkë me Rregulloren për ansamblin rezident përcaktojnë se juria vlerësuese kryesohet nga udhëheqësi artistik dhe pjesë e kësaj trupe janë edhe katër veta nga 8 që udhëheqësi artistik ia propozon Këshillit Drejtues. Por mënyra e përzgjedhjes është kritikuar edhe gjatë procesit.
Juria u përbë nga Ismet Ramadani, aktor e së fundmi i emëruar drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup, këngëtarja italiane Serena Abrami, udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, aktori italian e drejtori i Teatrit të Ravenas, Alessandro Argnani si dhe regjisori e profesori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Bekteshi.
Në rolin e ndihmësit të këngëtares Abrami, aty është ulur edhe basisti Enrico Vitali.
Lidhur me procesin e përzgjedhjen tanimë ka pasur reagime publike kundër këtij vendimi, që nga shumë njohës të fushës po cilësohet “skandaloz”.
Disa nga pikat me të cilat nuk po pajtohen aktorët pjesëmarrës në audicion janë si më poshtë:
Përbërja e komisionit nga persona të huaj që nuk kuptonin gjuhën shqipe
Komisioni për përzgjedhjen ishte i përbërë nga aktorë dhe regjisorë italianë, të cilët nuk zotëronin njohuri të gjuhës shqipe. Ky fakt ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e vlerësimit, pasi aftësitë tona artistike nuk mund të jenë vlerësuar siç duhet nga persona që nuk e kuptojnë gjuhën dhe interpretimin tonë.
Mungesa e përkthyesit të certifikuar ligjor
Gjatë procesit nuk ka qenë i pranishëm një përkthyes i certifikuar, çka përbën shkelje të rregullave procedurale dhe një pengesë të madhe për transparencën dhe drejtësinë e vlerësimit.
Konflikt interesi nga regjisori Kushtrim Bekteshi
Njëri nga anëtarët e komisionit, regjisori Kushtrim Bekteshi, aktualisht është duke bashkëpunuar në shfaqje teatrale me dy aktorët e përzgjedhur për ansamblin rezident, Qëndresa Jashari dhe Edlir Gashi.
Ky fakt përbën një konflikt të hapur interesi dhe dëmton integritetin dhe paanshmërinë e procesit të përzgjedhjes. Kjo bie ndesh me normat e ndershmërisë dhe konkurrencës së drejtë që duhet të karakterizojnë çdo proces të tillë publik.
Aktorët pjesëmarrës në audicion po synojnë që të rishikohet procesi i përzgjedhjes në përputhje me ligjin dhe etikën – të kryhen hetime të plota mbi shekljet e raportuara si dhe të merren masa konkrete për të parandaluar përëritjen e situatave të tlla.
Pos kësaj, të revoltuar kundër këtij vendimi reaguan publikisht edhe regjisori e profesori univeristar, Fadil Hysaj si dhe dramaturgu, Jeton Neziraj.
Reagimi i Hysajt:
“Të kesh aty një aktor të nivelit të Shpëtim Selmanit, që ka përvojë më të madhe se krejt juria bashkë, është nder. Ai është nivel i aktorit dhe krijuesit, artistit të vërtetë e me nivel të lartë intelektual që nuk e kanë as dy-tre teatro evropianë”, ka thënë Hysaj. Sipas tij, dy italianët e jurisë nuk dinë të flasin shqip dhe teatri është gjuhë e fjalës e jo e trupit.
Gjuha ka finesë, që nëse nuk e flet atë gjuhë nuk e kupton. S’mund t’i fusësh në audicion aktorët e karrierës. T’i thuash aktorit të karrierës këndoje një këngë, interpretoje një monolog, kjo është fyese. Mund të bësh intervistë, por jo audicion”, ka thënë ai.
Sipas Hysajt, pyetje më vete është se a ka arritur juria t’i shikojë e vlerësojë CV-të e konkurrentëve.
Shpëtim Selmani është nivel shumë i lartë. Ka kryerole, Çmim Evropian për Letërsi, e ta fusësh aty t’i bësh trajtim mizor duke i thënë të recitojë, nuk shkon.
Ky konkurs duhet të anulohet pasi ka fyer aktorët e karrierës. Kjo çfarë është bërë është sikur t’i thuash një shkrimtari me alamet karriere, do të të vlerësojmë me atë që e shkruan këtu për gjysmë ore”, ka thënë Hysaj.
Sipas tij, duhet të ndërrohen rregullat e pranimit të aktorëve. Ka thënë se juria së pari duhet të merret e ta studiojë secilin që konkurron para se të shkojnë në intervistë.
Kësisoj si ka shkuar, kjo vlen veç për pranim në fakultet. Në mesin e të refuzuarve ka aktorë që është dashur të ftoheshin pa konkurs fare. Rregullativa nuk thotë që anëtari i jurisë të jetë tri herë më i dobët se kandidati”, ka thënë Hysaj, i cili ka këmbëngulur se audicioni duhet të anulohet pasi është skandali më i madh që i ka ndodhur Teatrit Kombëtar të Kosovës qysh prej themelimit”.
Reagimi i Nezirajt:
“Është totalisht e papranueshme dhe jo e dinjitetshme kjo lojë e pistë që drejtuesit e TKK-së po e bëjnë me kolegët e tyre aktorë. Përnjëmend e turpshme, sidomos kur ky skandal kamuflohet me idenë e një ‘audiconi’, para ‘ekspertëve ndërkombëtarë’. Shiheni skandalin: njëra nga anëtaret e jurisë paska pasur ‘ndihmës’ (një basist). Ngelet e paqartë nëse basisti ka qenë anëtar jurie me të drejtë vote, apo vetëm rol “ndihmës” a cfar roli ka pasur në audicion?
Kushtrimi thotë: “ideja ishte që TKK-ja ka nevojë për aktorë të gjeneratës 27-28-vjeçarë e deri në 35-vjeçarë.”.
Dy pyetje per te: si e identifikoi ai kete nevoje? Sepse nevoja formulohet ne baze te planifikimit te repertorit (te cilin ai nuk e ka). Dhe pyetja e dyte: nese keni pasur target moshe, pse nuk e keni bere te qarte ne konkurs kete gje? (se nuk e lejon legjislacioni, me gjase, prandaj, hajde, le te tallemi me kolegët). Skandal per bese”.