Këngëtari kosovar i prekur nga COVID-19 ka vetëm një apel

By

Jetmir Hyseni, që është njëri nga 33 të prekurit me Covid-19 në Kosovë, ka treguar se gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar derisa po trajtohet në Spitalin Infektiv në QKUK.

“Fatmirësisht, sot mirë po ndihem. Për çdo ditë po e marr veten nga pak. Jam në Spitalin Infektiv në QKUK, qysh prej natës kur edhe jam diagnostifikuar me koronavirus”.

Hyseni përmes një lidhje telefonike në Sytë 7 në Klan Kosova ka treguar për simptomat që i kishte para se të diagnostifikohej me Covid-19.

“Faktikisht, simptomat i kam ndjerë prej ditës kur kam udhëtuar prej Gjermanisë në Kosovë. E kam ndjerë që mund ta kem virusin, por më saktë e kam kuptuar natën e 20 marsit, pasi që e kam bërë testin në Spitalin Infektiv”.

“Fillimisht në mëngjes kam pasë dhimbje të fytit, derisa në mbrëmje dikur vonë kam pasë ethe, temperaturë, dhimbje të kokës dhe muskujve – por, fillimisht kanë qenë dhimbjet e fytit”.

“Këto simptoma kanë zgjatur tri ditë. Tani kam disa vështirësi, por po e shoh se po e marr veten çdo ditë. Tani kam kokë dhimbje kohë pas kohe, por jo diçka më shumë”.

Hyseni që është nga fshati Bibaj i Ferizajt ka treguar edhe se si e kanë pritur familjarët e tij këtë lajm jo të mirë.

“Normal që çdo familjar e pret në mënyrën më të keqe, por e kemi marrë me pozitivitet. Kam qenë i përgatitur moralisht se nëse bëhet diçka – pasi virusi është përhapur në gjithë botën – të jem i fortë dhe mos të dorëzohem”.

Ai ka thënë se akoma nuk ka informata nëse dikush nga personat me të cilët ka pasë kontakt është infektuar me Covid-19.

“Nuk e di, janë duke e pritur testin. Po pres që të më lajmërojnë. Shpresoj se nuk e kam infektuar askënd”.

“Prej momentit që kam hyp në aeroplan në Dusseldorf kam qenë me dorëza dhe maskë tërë kohën. Edhe më pas në karantinën te Qendra e Studentëve kam pasë shumë kujdes”.

Por, cili është mesazhi i tij për të gjithë qytetarët e Kosovës?

“Të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i ndjekin udhëzimet. Duke e ruajtur veten e ruajnë edhe rrethin që i rrethon. I lus të gjithë të rrinë në shtëpi, të kujdesen për veten dhe për ata që i kanë rreth vetes”.

Hyseni ka thënë se i mungojnë shumë dy vajzat e tij, derisa ka shtuar se me familjarët bisedon vazhdimisht në telefon dhe përmes rrjeteve sociale.

Artikuj të ngjashëm