KARRIERA DHE FAMILJA E ALKETA VEJSIUT (VIDEO)

By

Këtë të shtunë në TV Klan shikuesit patën një takim jashtë radhe me Alketa Vejsiun, por këtë herë jo në rolin e prezantueses së X Factor, por të personazhit që rrëfente, jetën e saj. E rezervuar, në shfaqjet publike kur duhet të flasë për jetën private, ky takim me Alketën, sigurisht që ishte shumë ndryshe nga takimet e zakonshme kur ajo është në rolin e prezantueses.

Prezantuesja tregoi për fëmijërinë e saj të kaluar në Korçë e pastaj për të gjitha pjesëmarrjet në festivalet e zërave të rinj dhe herën e parë kur ndjeu tërheqjen magjike ndaj mikrofonit. Kishte qenë një festival libri në Pallatin e Pionerëve, ku, mes fëmijëve të tjerë, kishte thënë dhe ajo në mikrofon librin e preferuar dhe zëri i përhapur në sallë e kishte magjepsur. Kishte lindur një ëndërr që do e çonte përpara. Emisionet në RTSH, pastaj Top Albania Radio, prova e parë e kastingut ku  i kujtohet që shkoi e veshur me një këmishtë, një palë pantallona të bardha me tiranda dhe flokët bishtalecë, e më pas TV Klan…Prindërit kanë qenë gjithmonë një mbështetje për të, i ati me librat e rinj që ia sillte në shtëpi sapo botoheshin dhe e ëma me tolerancën dhe besimin që i ka dhënë më pas në çdo hap, ndërkohë që të dy dhe pse me jetë të ndara më pas, ia kanë mbështetur në çdo kohë pasionin për të prezantuar apo kënduar në skenë.

 Alketa përmendi takimin e parë me Vera Grabockën në një audicion që zhvillohej në atë kohë në katin e dytë të Pallatit të Kulturës për të përzgjedhur prezantuesen e “12 ëndrrat e një nate vere”. Ishte vetëm 17 vjeç, megjithatë Grabocka e pikasi në ajër talentin e Alketës, duke i premtuar që ajo mund të bëhej Raffaella Carra e Shqipërisë. Sigurisht në atë moshë, Alketa do kishte preferuar ta quanin Ambra Angolini-n e Shqipërisë, por me Carra-në besimi ishte dhe më i madh. Bashkëpunimi me Grabockën, tashmë 14 vjeçar, është forcuar në një varg spektaklesh, për të arritur te blerja e patentës së parë ndërkombatëre prej tyre, X Factor.

X Factor-i e ka takuar me një prej idhujve të saj, themleuesin e këtij spektakli, Simon Cowell, ashtu si këtë dimër pati rastin të shihte nga afër në një konferencë ku ishte e ftuar Bill dhe Melinda Gates. E me gjithë aktivitetet dhe njerëzit e rëndësishëm që mbushin jetën e saj, Alketa tregoi që asgjë nuk është më e rëndësishme sesa jeta e thjeshtë që bën me familjen e saj.

Për herë të parë, ajo rrëfeu njohjen me bashkëshortin, mbi dhjetë vjet më parë kur nuk ishte as 20 vjeç, me të cilin ka qenë një dashuri me shikim të parë, kur ai hoqi syzet dhe u shfaqën sytë e kaltër, të njëjtët sy që ka sot e bija, fëmija i tyre i parë. Kur u martua Alketa ishte gjashtë muajshe shtatzënë dhe ishte një dasmë dhe pse shumë e bukur, me stresin që privatësia të ruhej ashtu si ajo dhe bashkëshorti kishin vendosur. Një ceremoni e thjeshtë me 55 të ftuar, me një fustan të qepur enkas që e ruan, ndoshta që një ditë, qoftë edhe për pak minuta ta veshë e bija. Ai fustan qëndron në një kuti të tejdukshme në ateljenë e arreduar në stil elegant e pak vintage, mes shumë të tjerësh të firmave të njohura. Bashkë me fustanet Class by AV iu siguron klientëve të saj edhe studion e make up-it, studio fotografike dhe studio videosh.

Alketa ndan kohën e saj mes televizionit dhe biznesit, që kanë një pikë të përbashkët, të bukurën dhe spektaklin. U është shtuar, angazhimeve të saj, prej disa muajsh edhe revista online Class, një projekt i hershëm për të pasur një revistë, por që ka vendosur të jetë dixhitale meqë kjo është prirja e kohës.

Sa për pjesën që nuk duket, ajo nuk ndryshon shumë nga vajzat e tjera që nuk bëjnë punën e saj. I njëjti përkushtim ndaj fëmijëve, të njëjtat lojëra, e njëjta kënaqësi për t’iu gatuar apo lexuar histori në shtrat. Sepse sipas Alketës nuk duhet të jesh një supergrua për t’i bërë të gjitha. Ajo thjesht nuk ka hequr dorë nga ëndrrat e nuk ka reshtur së besuari./Prive.al

https://www.youtube.com/watch?v=PkGmOQcTtMs

Artikuj të ngjashëm