Vanessa Bryant – bashkëshortja e ikonës së basketbollit Kobe Bryant i cili ndërroi jetë të dielën në një aksident me helikopter, ka plasuar një fotografi në Instagram ku shihet e gjithë familja së bashku.
Kësaj fotografie, Vanessa ia ka dedikuar një shkrim ku ka theksuar se ndjehet e shkatërruar pas humbjes së burrit dhe se nuk ka fjalë që mund t’i përshkruajë dhimbjet e saja tani, shkruan Klan Kosova.
“Vajzat e mia dhe unë duam të falënderojmë miliona njerëz që kanë treguar mbështetje dhe dashuri gjatë kësaj kohe të tmerrshme. Faleminderit për të gjitha lutjet. Ne patjetër kemi nevojë për to. Jemi shkatërruar plotësisht nga humbja e papritur e burrit tim Kobe – babai i mahnitshëm i fëmijëve tanë; dhe Gianna ime e bukur, e ëmbël – një vajzë e dashur, e menduar, dhe e mrekullueshme, dhe motër e mahnitshme për Natalia, Bianka dhe Capri”.
Vanessa gjithashtu ka thënë se ndjenë keqardhje edhe për familjet që humbën të dashurit e tyre në aksidentin e së dielës.
“Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të përshkruar dhimbjen tonë tani. Unë ngushëllohem kur di se Kobe dhe Gigi të dy e dinin që ishin aq të dashur. Ne ishim aq shumë të bekuar që i kishim ata në jetën tonë. Uroj që ata të ishin këtu me ne përgjithmonë. Bekimet tona të bukura u morën prej nesh shumë shpejt”.
“Është e pamundur të imagjinohet jeta pa ta. Por ne zgjohemi çdo ditë, duke u përpjekur të vazhdojmë të tutje sepse Kobe dhe vajza jonë e vogël Gigi, po shkëlqejnë mbi ne për të ndriçuar rrugën. Dashuria jonë për ta është e pafund. Unë do dëshiroja t’i përqafoja, t’i puthja dhe t’i bekoja. T’i kem ata këtu me ne përgjithmonë”.
Gruaja Bryant i ka falënderuar të gjithë njerëzit që e kanë ndarë gëzimin, hidhërimin dhe që kanë treguar mbështetje për familjen e saj.
“Ne kërkojmë që të na jepni respektin dhe privatësinë që na duhet për të lundruar në këtë realitet të ri”.