Ellen DeGeneres kthehet në ekran, kërkon falje për ambientin toksik të punës

By

Ellen DeGeneres e ka hapur sezonin e ri të talk-shout të saj të famshëm me një kërkim falje dhe me një pohim se “kanë ndodhur gjëra që nuk është dashur të ndodhin kurrë”.

Të hënën “The Ellen DeGeneres Show” është kthyer në ekranet amerikane për herë të parë prej kur u shfaqën akuzat se aty është një ambient toksik pune.

“Unë e marr këtë shumë seriozisht dhe dua të them se më vjen shumë keq për njerëzit që kanë pësuar nga kjo”, ka thënë DeGeneres.

Ajo tha se hetimi ka mundësuar që të bëhen “ndryshimet e nevojshme”. Tre producentët kryesorë të shout janë pushuar nga puna së fundmi për shkak të sjelljes së keqe.

DeGeneres e nisi emisionin me ton komik, ashtu siç bën gjithmonë.

“Nëse po e sheh këtë, sepse më do, faleminderit. Nëse po e sheh këtë, sepse nuk më do, mirësevjen”.

Por, shumë shpejt ajo u bë serioze kur foli për akuzat për sjellje të keqe dhe ngacmim seksual gjatë punës dhe xhirimeve për shoun e saj të cilat dolën në pah më herët gjatë këtij viti.

“Kam mësuar se kanë ndodhur gjëra që nuk është dashur të ndodhin kurrë. Nëse ndonjëherë e kam zhgënjyer dikë apo nëse e kam lënduar dikë, më vjen vërtet shumë keq për këtë”.

DeGeneres ka thënë se si personi që është në krye të shout i cili edhe e mban emrin e saj gjithçka që ka ndodhur ishte përgjegjësi e saj.

“Ne kemi bërë ndryshimet e nevojshme dhe sot po e nisim një kapitull të ri”, ka thënë ajo, derisa ka njoftuar se DJ Twitch – që ishte në studio – është promovuar në bashkëproducent ekzekutiv.

Autorja dhe producentja e “The Ellen DeGeneres Show” tha se dëshiron që secili nga 270 punëtorët që punon në shoun e saj “të jetë i lumtur dhe krenar që punon aty”.

DeGeneres i kishte kërkuar falje stafit të saj me një e-mail në muajin korrik duke thënë se “është e përkushtuar që të sigurohet se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më”, derisa më vonë ka kërkuar sërish falje në një video-takim me ekipin e saj në muajin gusht.

Artikuj të ngjashëm