Aktori i njohur vjen në Kosovë për xhirimet e filmit

By

“Unë dhe Millosheviçi” është projekti me i ri kinematografik kosovar, që ka mbledhur një kastë aktorësh të njohur hollivudianë, evropianë dhe kosovarë.

Mes tyre janë edhe William Baldwin nga ShBA-ja, Zherar Depardje nga Franca, Tony Robinson nga Britania e Madhe dhe Maria Graziacucinotta nga Italia.

Me regji dhe skenar të Arben Kastratit, ky film trajton krijimin e një heroi aksidental. Aktori i njohur amerikan në një intervistë për Euronews Albania tregon arsyet pse pranoi të jetë pjesë e këtij projekti.

“Skenari është i mrekullueshëm, i fuqishëm, tërheqës, me të papritura, komik, gjithashtu ka një superkastë aktorësh, njerëz jashtëzakonisht të talentuar dhe jam i lumtur që ëndrrën e Arbenit po e bëjmë realitet. Ai ka vite që ka punuar për këtë. Roli im më pëlqen shumë. Luaj një karakter që është në mbështetje të protagonistëve, por kjo nuk ka rëndësi. Është një grup fantastik”, tha Baldwin.

Ai tregon se është i familjarizuar me atë çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe Ballkan, prandaj edhe i vjen mirë që është pjesë e këtij filmi.

“Historinë se çfarë ka ndodhur në Bosnjë apo këtu në Kosovë e kam përcjellë për së afërmi dhe kam qenë mbështetes i madh i komunitetit në ShBA që po bënte presion tek administrata Klinton dhe po e shtynin atë që të ndërhynte. Do të dëshiroja që ndërhyrja të ndodhte shumë më shpejt”, tha ai.

Por, ky nuk është projekti i vetëm në Ballkan dhe Kosovë.

“Jam duke punuar në një serial televiziv në Serbi që quhet South Wndi (era jugore) dhe pastaj do të kthehem këtu përsëri për të punuar disa projekte të tjera me Arbenin dhe po ashtu kam një film, që do duhej ta xhiroj në Maqedoninë e Veriut”, thotë ai.

Për Kosovën e kosovarët ndan përshtypje shumë të mira.

“E di që lufta nuk ishte dje. Duhet shumë kohë për të rimarrë veten. Jam krenar për njerëzit tuaj që janë ringritur me forcat e tyre dhe e jetojnë jetën me kaq pasion”, theksoi aktori.

Që ardhja e këtyre emrave po ndikon në përmirësimin e imazhit të Kosovës e thotë edhe njeriu që ka meritat për ardhjen e aktorit Baldwin dhe të tjerëve në Kosovë.

“Absolutisht, është një kosto shumë e madhe për të sjellë këta njerëz. Unë i kam sjellë për të bërë një diplomaci kulturore”, nënvizoi Arben Kastrati.

Por, ai shton se nuk ka qenw aspak e lehtë grumbullimi i këtyre emrave. Kastrati tregon se kostoja e këtij projekti kinematografik kap vlerën e 3.8 milionë eurove, por që mbështetja institucionale për të po mungon.

Ai deklaroi se premtimet nuk kanë munguar, por mungon përmbushja e tyre.

Ky projekt synon pjesëmarrjen në festivalet kryesore në Evropë e botë. Filmi “Unë dhe Millosheviqi” pritet të dalë në kinema për publikun gjatë vitit 2023.

Artikuj të ngjashëm